Vajzat dominojnë në inxhinieri e shkenca kompjuterike

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se vajzat po donimojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në këtë universitet.
Në njoftimin e tyre thuhet se trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës është, jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.
“Ndonëse përqindja e vajzave që studiojnë shkenca kompjuterike kudo në botë është e vogël, në një shtet gjeografikisht “të vogël” si Kosova, trendi i të rejave që synojnë karrierë në shkenca dhe inxhinieri kompjuterike—në të kaluarën, të perceptuara kryesisht si “drejtime të meshkujve”—ka shënuar rritje vit për vit, në dekadën e fundit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7 për qind e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9 për qind e tyre janë vajza./21Media

Back to top button