Vaksina gjermane CureVac vetëm 47% efikase

 
Kompania farmaceutike gjermane CureVac, ka pësuar kthim të madh mbrapa në zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ndërkohë që varianti Delta i këtij virusi vazhdon të rrisë shqetësimet në Angli dhe shtetet tjera, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të vaksinimit.
CureVac ka njoftuar se vaksina e saj potenciale është vetëm 47 për qind efikase kundër sëmundjes COVID-19.
CureVac është konsideruar kandidate kyçe në garën ndërkombëtare për miratim të vaksinave kundër koronavirusit, dhe rezultatet zhgënjyese kanë rritur dyshimet për furnizim me miliona vaksina për Bashkimin Evropian dhe vendet tjera, që kanë mbetur mbrapa në procesin e imunizimit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë CureVac, Franz-Werner Haas, ka thënë se ka shpresuar për rezultate më të mira, ndonëse testimet do të vazhdojnë dhe shkalla e efikasitetit mund të ndryshojë ende.
Në studim kanë marrë pjesë 40,000 vullnetarë nga Evropa dhe Amerika Latine.
Kompania ka thënë se rezultatet sugjerojnë që vaksina është efektive te pjesëmarrësit e rinj, mirëpo ajo nuk është treguar shumë efikase për moshat mbi 60 vjeç.
Vaksinat tjera më të shtrenjta sikurse ato të zhvilluara nga kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, janë rreth 90 për qind efikase në lufim të koronavirusit.
Deri më tani në nivel botëror janë infektuar rreth 178 milionë persona. Nga ta rreth 162 milionë janë shëruar, teksa mbi 3 milionë e 850 mijë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes. Raste aktive mbesin rreth 11 milionë e 600 mijë./21Media

Back to top button