Varhelyi pret që të dërgohet në kushtetuese draftstatuti i Asociacionit

Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në fjalimin e tij në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të BE-së në Budapest ka përmendur dialogun Kosovë-Serbi.

Oliver Varhelyi ka thënë se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut.

Ndërkohë që i ka bërë thirrje Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë përmes Dialogut. Presim që palët të vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për de-përshkallëzimin dhe përparimin në zbatimin e obligimeve të tyre në kuadër të Dialogut – duke filluar me dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Ai ka folur edhe për reformat në Shqipëri.

“Reformat në Shqipëri vazhdojnë, duke u fokusuar kryesisht në zbatimin e reformës në drejtësi. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme në sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, çështjet e pakicave dhe të drejtat pronësore. Vlerësimi ynë mbetet gjithashtu se negociatat për grupin e parë mbi bazat duhet të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur, e cila duhet të pasohet nga hapja e grupit të tjerëve gjatë gjysmës së dytë të këtij viti”, tha ai.

Tutje thuhet se si pjesë e Paketës vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian do të raportojë mbi progresin e vendeve të anëtarësimit këtë vjeshtë si çdo vit.

Back to top button