Varroset artisti kombëtar Shyqri Nimani

Profesori dhe artisti kombëtar, Shyqri Nimani, është varrosur sot në varrezat e Prishtinës në Arbëri.
Nimani vdiq dje, ndërkohë që lajmin për vdekjen e bëri të ditur djali i tij, Agon Nimani.
Shyqri Nimani është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
E pamja për të ndjerin do të mbahet nga sot deri të dielën tek shtëpia e familjes në rrugën Major Mehmet Bushi, Vila 15/1, Bregu i Diellit Prishtinë, nga ora 11 deri në orën 18.
Nimani u lind në Shkodër më 6 maj 1941. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i Qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991 – 1994. /21Media
