Vatra dënon sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në veri të Kosovës

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ka dënuar sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në veri të Kosovës.
“Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjek me shqetësim situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Federata VATRA mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës, Institucionet demokratike dhe ligjzbatuese, integritetin territorial, sovranitetin e paprekshëm, rendin, sigurinë publike dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës. Vatra dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në Kosovë. Federata Vatra dënon dhunën, tensionet, bllokimet dhe provokimet me regji në Beograd e Moskë”, ka deklaruar Vatra.
Sipas Federatës Vatra, reciprociteti është e drejtë e çdo shteti Sovran.
“Reciprociteti është i bazuar në të Drejtën Kushtetuese të Shtetit të Kosovës dhe në të Drejtën Ndërkombëtare. Federata Vatra shpreh mirënjohje për Ambasadorin Amerikan në Prishtinë Jeffrey M. Hovenier për angazhimin, garancinë dhe rolin e tij konstruktiv në qetësimin e situatës. Federata Vatra mbështet me çdo kusht e çdo mjet sundimin e ligjit, sigurinë, kushtetushmërinë, paqen dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve në Kosovë”, thuhet tutje në reagimin e Federatës Vatra.
Federata Vatra ka inkurajuar aletatët ndërkombëtarë të kombit shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin që të dënojnë sulmet dhe të kontribuojnë për siguri, stabilitet dhe ligjshmëri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button