Vazhdojnë grabitjet e armatosura në Prishtinë

Policia arrestoi 5 persona të dyshuar për grabitjet e më hershme

Një grua ka raportuar se dje derisa ka qenë në vendin e punës në një lokal mikro financiar në Prishtinë, ka hyrë një person i panjohur dhe nën kërcënim të mjeteve të mprehta ka grabitur 40 euro, i cili ishte larguar në drejtim të panjohur.

Siç raporton policia, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe nuk raportohet për të lënduar.

Ndërsa, për grabitje gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë dje është arrestuar edhe një person dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po në Prishtinë, pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me një grabitje dje janë identifikuar dhe arrestuar 4 të dyshuar meshkuj.

Gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar një revole “Ekol” me 2 copë fishek dhe 2 thika.

“Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, bën të ditur policia./21Media

Back to top button