Vazhdon fushata për tabelat RKS
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se po vazhdohet fushata për çështjen e regjistrimit dhe paisjes më targa “RKS” të makinave të cilat mbajn regjistrime ilegale e që qarkullojnë nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
Ky njoftim vjen pas reagimeve të shumta të serbëve në veri.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse, vazhdojnë fushatat informuese për qytetarët për pajisje me targa “RKS”. Fushata informuese i drejtohet qytetarëve të cilët posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA”, apo “ĐA”, e të cilët nga data 01 gusht 2022 deri me 30 shtator 2022 duke shpjeguar mënyrën si të aplikojnë dhe të pajisen me targa “RKS”.
Të gjitha fushatat si, video-spotet, komunikatat njoftuese, banerat dhe fletushkat, iu janë adresuar dhe shpërndarë të gjithë qytetarëve pa dallime (në gjuhët shqipe dhe serbe), me qëllim të informimit të tyre me kohë, dhënies së sqarimeve të nevojshme për procedurat dhe kriteret e parapara për pajisje me targa “RKS””, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në veri të Kosovës, dy ditë para nisjes së zbatimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa me emra të qyteteve të Kosovës dhe lëshimit të një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit serb, u shfaqën disa pankarta dhe fletushka me mesazhin: “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimet serbe do të mbeten”.
Kosova i konsideron të jashtëligjshme targat me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia.
Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.
Çështja e targave kishte rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse. Ky vendim shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?