Duncan tregon si e mori Thaçi titullin “Kryekomandant i UÇK-së”

(Lajm i përditësuar)


Duncan tregon si e mori Thaçi titullin “Kryekomandant i UÇK-së”

John Stewart Duncan gjatë dëshmisë së tij ka folur edhe për demilitarizimin e UÇK-së, në veçanti takimin e 17 qershorit të 1999-të në Malet e Berishës, ku ishte takuar me disa komandantë të zonave.

Pjesë kyçe e deklarimit të tij, ishte edhe se si Hashim Thaçi, mori titullin “Kryekomandant i UÇK-së”.

Ish-këshilltari i Wesley Clark, shpjegoi edhe arsyen se pse kjo ndodhi.

Duncan theksoi se në atë kohë NATO-ja nuk e njihte Thaçin si kryeministër të Qeverisë së Përkohshme.

“NATO-ja nuk mund ta njihte Hashim Thaçin si kryeministër të Kosovës, nuk mund ta pranonte këtë gjë. Nuk ishin gati ta njihnin Kosovën si shtet dhe është e sigurt se nuk do ta njihnin as Hashim Thaçin si udhëheqës të Kosovës”, tha ai gjatë dëshmisë së tij para mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi.

“Z. Thaçi nuk mund ta nënshkruante në cilësinë e kryeministrit sepse NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk e njihnin Qeverinë e përkohshme të Kosovës dhe rrjedhimisht këtë pozitë. Dikush e sajoi këtë titull që të dukej se z. Thaçi kishte legjitimitetin dhe pushtetin dhe për këtë arsye iu dha titulli kryekomandant i UÇK-së”, deklaroi ish-zyrtari i lartë i Aleancës Veriatlantike.


Prokurori ia lexoi një deklaratë të Agim Çekut, dëshmitari Duncan i thotë se nuk po thuhet ashtu

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit John Duncan iu lexua një deklaratë e Agim Çekut kur ishte pyetur se çfarë mendon se do të ndodhte në Kosovë pas përfundimit të luftës, e në të cilën kishte thënë se do kujdesej që lufta të përfundohet me sukses dhe pjesën politike do ia linte të merret Qeveria e udhëhequr nga Thaçi.

“Kur e pyetën se çfarë mendon se do të ndodhë në Kosovë pasi të përfundojë lufta; nëse do të jetë e pavarur apo rajon i pavarur i Serbisë, ai u përgjigj: unë jam një ushtar, detyra ime është të kujdesem për ushtrinë, situatën në fushëbetejë dhe të kujdesem që lufta të përfundojë me sukses. Ai premtoi që do të luftojë derisa forcat e Sllobodan Millosheviqit të dëboheshin nga Kosova dhe t’ia linte politikën Qeverisë që drejtonte Thaçi”, lexoi prokurori Matt Halling.

Pas kësaj, prokuroi pyeti dëshmitarin se a e dinte që Agim Çeku ka thënë që është pjesë e një Qeverie që drejtohet nga Hashim Thaçi.

“Jo nuk thotë kështu këtu”, iu përgjigj dëshmitari-prokurorit.

Më pas, prokuroi vijoi me pyetjen pasuese duke i thënë dëshmitarit se a e dinte që Çeku ka thënë që do ia linte politikën Qeverisë së udhëhequr nga Thaçi.

“A e dini ju se ia ka thënë që do të luftonte deri sa t’i dëbonte forcat e Sllobodan Millosheviqit nga Kosova dhe do ia linte politikën Qeverisë që udhëhiqte Hashim Thaçi?”, pyeti Halling.

Më pas, dëshmitari thotë sërish që Agim Çeku nuk e pranon që është pjesë e Qeverisë kështu duke i dhënë interpretim deklaratës së Çekut.

“Po këtë thotë, por nuk thotë që jam pjesë e Qeverisë. Mbase, nuk e kuptova mirë pyetjen tuaj dhe ju kërkoj ndjesë për këtë. Në fjali thuhet: Unë jam ushtar profesionist, kam një rol tjetër dhe politikën ia lë Qeverisë sonë që drejtohet nga Hashim Thaçi. Kjo përputhet me atë që kam thënë në dëshminë time kur thash që ata punonin si ekip se bashku; unë do bëjë punën time, ti do bësh punën tënde. Pra, Agim Çeku ka folur për aspektin ushtarak ndërsa zoti Thaçi ka mbuluar aspektin politik. Kështu ka qenë dinamika”, tha dëshmitari.

Por, për atë nëse e ka bërë këtë deklarim Agim Çeku- deklaratë që iu lexua dëshmitarit, ky i fundit tha se nuk ka dijeni.


Duncan për Kadrin Veselin: Ishte një nga njerëzit me funksione të larta policore

Ish-këshilltari i Wesley Clark, John Stewart Duncan, i cili po dëshmon sërish para Dhomave të Specializuara të Hagës, u pyet për Kadri Veselin.

Ai tha  se Veseli ishte një person me funksion të lartë në zbulim.

“Me sa më kujtohet mua, është një person me funksion të lartë dhe në funksionin policor dhe të zbulimit”,  u shpreh Duncan.


Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon John Duncan

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

Duncan, dje theksoi se gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë nuk ka pasur asnjë dëshmi për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së sipas kuptimit ushtarak, duke shtuar se një gjë e tillë e ka dëgjuar vetëm në deklarata politike.

“Në kohën që kam qenë atje nuk kam pasur asnjë dëshmi që të ekzistojë një Shtab i Përgjithshëm sipas kuptimësisë nga pikëpamja ushtarake. Gjatë kohës time unë kam dëgjuar që të përmendet Shtabi i Përgjithshëm, por këtë në deklarata politike kryesisht”, tha Duncan.

Ai tutje tha se përveç kësaj, nga aktakuza e ka kuptuar që një organ i tillë pretendohet se ka ekzistuar që nga vitet e ’90-ta.

“Nga aktakuza kam kuptuar që është krijuar në mes të viteve ’90-të, kur UÇK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme dhe shumë e vogël dhe po dëshironin që t’i jepnin tituj të mëdhenj”, shtoi ai.

I pyetur nga prokuroria për ish-figurat e UÇK-së Azem Syla dhe Sokol Bashota dhe nëse i njeh ata, ai tha se për të parin është emër që e ka dëgjuar, derisa për të dytin që nuk është mirë me kujtesën e emrave.

Kur prokurori Matt Halling i tha se çka nëse i thuhet se Azem Syla ka qenë ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe Sokol Bashota ish-zëvendëskomandant, dëshmitari Duncan tha se emrat i ka të dëgjuar, por tha se nuk i mban mend as emrat e Zonave Operative siç janë ndarë në UÇK.

Dëshmitari theksoi se nuk kishte parë asnjë komunikatë të UÇK-së që të përmendte ekzekutime ose likuidime ndaj “kolaboracionistëve” apo “tradhtarëve të kombit”.

Megjithatë, dëshmitari pranoi se kishte hasur shpesh komunikata të tjera të UÇK-së, të cilat i merrte përmes GDOM-it, Kryqit të Kuq ndërkombëtar ose shtypit, dhe se shumica përcillnin mesazhin se UÇK-ja ishte një organizatë e mirëstrukturuar dhe e ardhmja e Kosovës.

Back to top button