Dëshmitari kundër Pjetër Shalës pretendon se është mbajtur mbyllur në një dhomë

(Lajm i përditësuar)

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se nuk ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kishte lënë Kosovën në prill të vitit 1999 pas presioneve të paramilitarëve serbë. Në pyetjet e prokurorit të specializuar, ai ka pretenduar se ka qenë për më shumë se një muaj i mbyllur në një dhomë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dy orë e gjysmë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar.

Prokurori i specializuar me fillimin e pyetjeve për dëshmitarin e mbrojtur ka kërkuar që seanca të jetë private. Më pas, dëshmitari që mban numrin 11 është pyetur se kur ishte larguar nga Kosova dhe në cilin vend kishte shkuar.

Prokurori: Zotëri dëshmitar, gjatë luftës a keni qenë ndonjëherë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: A keni qenë në Kosovë në kohën kur NATO filloi fushatën e vet bombarduese në 1999?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Në Kosovë keni ndenjur deri në fund të luftës, apo jeni larguar në ndonjë çast nga Kosova?

Dëshmitari: Po kam qenë deri më 27 prill në Kosovë, me 27 prill 1999 kam dalë me familje në Shqipëri.

Prokurori: Pa na dhënë ndonjë hollësi që mund të ju identifikonte, a mund t’i tregoni trupit gjykues se përse, çfarë ju shtyu juve dhe familjen të largoheshit nga Kosova në prill të vitit 1999 dhe të shkonit në Shqipëri?

Dëshmitari: Kishim presione prej paramilitarëve serbë, nuk kishim ushqim dhe u detyruam me ik me shpëtua familjen.

Mbrojtja: Ku shkuat në Shqipëri në prill të 1999?

Dëshmitari: Kemi qenë në Kukës”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori i specializuar ka kërkuar që pyetjet që kanë të bëjnë me hollësitë e vendit ku ka qëndruar dëshmitari, të bëhen në seancë private.

Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, janë shfaqur dokumente, por të njëjtat nuk janë transmetuar për publikun. Dëshmitari ka pretenduar se pasi është futur në një veturë është dërguar në fabrikë.

Pyetjet më pas kanë vijuar në transmetim me përmbajtje të redaktuar.

Prokurori: Përpara se të quan në atë dhomë, të bëri ndonjëri ndonjë pyetje?

Dëshmitari: Jo, jo, askush, asnjë pyetje nuk ma ka bërë”, është përgjigjur dëshmitari i gjashtë.

Dëshmitarit të mbrojtur i është kujtuar deklarata që kishte dhënë se ‘pasi ishte dërguar në shtab, kishte qëndruar në një zyrë për 30 minuta’.

Dëshmitari: Më janë marrë lidhëset e këpucëve

“Kjo zyre ka qenë në hyrje të portës, ku më janë marrë lidhëset e këpucëve dhe prej asaj dhome në atë drejtim më kanë dërguar në dhomë, ku kam qëndruar ton kohën”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse i është bërë ndonjë pyetje pasi ia morën lidhëset e këpucëve, por ai ka thënë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Dëshmitari që mban numrin 11 ka thënë se dhoma ku është mbajtur ka qenë në anën e majtë të portës.

Tutje, dëshmitari pretendoi se në ndërtesën njëkatëshe u mbajt për rreth një muaj.

Prokurori: Për sa kohë qëndruat aty, zotëri dëshmitar?

Dëshmitari: Deri kur është çliruar Kosova, deri në fund kom dalë. Nuk mbaj mend, afër 1 muaj e 10 ditë, apo 1 muaj e pesë ditë, nuk e di”, është përgjigjur dëshmitari.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij, është pyetur nga prokurori edhe se si dukej ajo dhomë.

Dëshmitari: Dhoma ishte me një dritare, diku 4 me 4 apo 4 me 3 e gjysmë, aty pari.

Prokurori: Kjo dera që kur hyje që futeshe në korridor dhe që shkonit tek kjo dhoma në të majtë, dhoma ishte e mbyllur, e kyçur kur futeshe ti në të majtë?

Dëshmitari: Po, dhoma ishte e mbyllur”, ka thënë dëshmitari që mban numrin 11.

Deri aty, dëshmitari në gjykimin kundër Pjetër Shalës tha se ishte shoqëruar nga një person civil.

Prokurori: Kush ju udhëzoi për të shkuar tek kjo ndërtesa, ishit të njëjtit persona që ju kërkuan që t’i ndiqnit dhe të shkoni me ta në kamp apo ishin persona të tjetër.

Dëshmitari: Jo, ka qenë një person civil, i cili më ka udhëzuar më ka quar deri tek dera.

Prokurori: Ti the që të quan, të udhëzuan deri tek dera. A mund të na përshkruani se çfarë pamje kishte ndërtesa brenda, pasi u fute te dera, si dukej? Kjo dhoma ishte në të majtë, ishte drejtë sapo futeshe apo ishte në të djathtë të korridorit?

Dëshmitari: Si hyra në korridor, derën në të majtë e kam pasur”, tha dëshmitari.

Prokuroria ka vazhduar të shfaq fotografi të një ndërtese, për çka është pyetur dëshmitari nëse i kujtohet. Këto pamje nuk janë shfaqur për publikun.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë do të vazhdojë dhe pasdite. Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Përfundon dëshminë dëshmitari i pestë në gjykimin e Pjetër Shalës

Dëshmitari i pestë në procesin gjyqësor të Pjetër Shalës ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai në këtë seancë i sqaroi disa deklarata të veta, pas pyetjeve të gjyqtarëve.

Tani në këtë seancë do të vazhdojë deklaratën dëshmitari i gjashtë në rastin e Pjetër Shalës.

Vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari merret në pyetje nga ana e mbrojtjes

Në Hagë edhe sot do të vazhdon gjykimi ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara seanca do të fillojë në ora 09:30

Të hënën në Hagë u dëgjua dëshmitari i pestë kundër Pjetër Shalës.

Dëshmitari që mban numrin 10, gjatë ditës së hënë ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës, derisa ka pretenduar se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i janë bërë disa pyetje në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.

Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Dëshmitari i pestë me kodin 10 në rastin e Pjetër Shalës, para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), tha se Shala ka hyrë dhe ka dalë nga shtabi logjistik në Kukës pa kërkuar leje nga askush.

Kur u pyet nga mbrojtësi i viktimave Simon Laws, se cila kishte qenë arsyeja që ai kishte mundur të hyjë dhe të dalë pa leje nga aty, pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes, por që kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues.

Por, në momentin e përsëritjes së pyetjes, dëshmitari tha se përgjigja është e saktë, por që ai nuk e dinte a ka pasur leje apo jo Pjetër Shala.

Me këtë përgjigje, reagoi edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila tha se edhe për të është e paqartë pasi që njëherë thuhet se Shala nuk kërkonte leje e më pas që nuk e dinte a kishte leje apo jo, duke kërkuar që ai të sqarohet.

E që më pas, dëshmitari u kthye në fjalinë që kishte thënë për herë të parë.

Ballafaqimi i dëshmitarit me deklarimet e mëhershme nga ana e mbrojtësit të viktimave dhe pyetje tjera eventuale, janë bërë në seancë private.

Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar pyetjet ndaj dëshmitarit, i cili pohoi të ketë parë personalisht Hafir Hoxhën dhe Sabit Gecin në shtabin e logjistikës në Kukës në muajin e pestë dhe të gjashtë të vitit 1999.

Ai po ashtu tha se kishte takuar një ushtar me emrin Bedri në këtë vend, por përgjigjet ndaj pyetjeve për të u cilësuan me përmbajtje të redaktuar nga ana e DhSK-së.

Kurse, nga ana e mbrojtjes është kërkuar diskutimi i dy çështjeve, njëra që sipas avokatit mbrojtës Mohamed Hédi Aouini ka të bëjë me persona të mbrojtur dhe pika dy që ka të bëjë me akuzën për bashkë-konspirator që pretendohet, e që edhe për këtë diskutim është kaluar në seancë private.

Ndërkaq, gjatë kësaj seance Pjetër Shala ka kërkuar nga ana e gjykatës që t’i lejojë kohë për konsultim me mbrojtësit e tij, andaj edhe marrja në pyetje e dëshmitarit nga ana e mbrojtjes, do të bëhet sot.

Back to top button