Vazhdon samiti “Ballkani i Hapur” me fjalime zyrtare

Dikush me aeroplan e dikush me veturë, dje u mbledhen kryeministrat e shteteve të Ballkanit për të mbajtur samitin “Ballkani i Hapur”
Sipas agjendës sot është paraparë fjalime zyrtare në samit, përveç kryeministrave dhe ministrave të rajonit me video fjalime do të paraqiten edhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhei dhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Në këtë samit nuk merr pjesë Kosova e cila thotë se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e Serbisë, për të promovuar interesat ruse dhe kineze.
Gjithashtu edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një prononcim “Ballkanin e Hapur” e quajti një aleancë të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e cila synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.
Por, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Ballkani i Hapur garanton liritë jetike për zgjidhjen e konflikteve në kontinentin tonë.
E kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se koncepti “Ballkan i hapur” parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.
Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.
Iniciativa Ballkani i Hapur parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.
“Ballkani i Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej./21Media

Back to top button