Vazhdon trajnimi i FSK-së në Qendrën e Alpinizmit Ushtarak në Itali
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Italinë, specialistët nga Togu i Kërkim-Shpëtimit Malor të Gardës Kombëtare të FSK-së, kanë kryer me sukses trajnimin e kërkim-shpëtimit malor.
“Vazhdon avancimi i shkathtësive profesionale të specialistëve tanë të kërkim-shpëtimit malor në Qendrën e Alpinizmit Ushtarak në Itali. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes me Italinë, specialistët tanë nga Togu i Kërkim-Shpëtimit Malor të Gardës Kombëtare të FSK-së, kanë kryer me sukses trajnimin e kërkim-shpëtimit malor në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë”, shkroi Mehaj.
Mehaj ka thënë se gjatë trajnimit, ata avancuan shkathtësistë për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë e teknika të tjera të avancuara.
“Gjatë trajnimit, specialistët tanë kanë avancuar shkathtësitë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurtë, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara. Njësitet tona të kërkim-shpëtimit janë shembull i shkëlqyeshëm i profesionalizmit dhe shërbimit vetëmohues në operacionet e shpëtimit përballë të gjitha sfidave që cenojnë sigurinë e qytetarëve të vendit pa dallim”, përfundon shkrimi i Mehajt./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?