Vazhdon transferimi i afganëve nga Kosova drejt SHBA-së

Edhe 54 afganë janë larguar sot nga Kosova për në SHBA. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Sot ju uruam lamtumirë 54 miqve tanë afganë, të cilët sot herët në mëngjes u larguan nga Prishtina për në SHBA. Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’ju tregonim mikpritjen e vendit tonë. Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, @USEmbPristina që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. Ju urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”, thuhet në një njoftim të Ministrisë.

Afganët që janë strehuar në Kosovë, janë në mesin e të ikurve nga Afganistani, prejse ky vend ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë, në mes të gushtit.
Kosova është në mesin e disa vendeve që kanë pranuar përkohësisht shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.
SHBA-ja ka programe për riatdhesimin e atyre afganëve që kanë punuar drejtpërdrejt me ushtrinë amerikane apo organizata të financuara nga Qeveria amerikane, gjatë 20 vjetëve të fundit.
Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët afganë që janë strehuar në Kosovë, kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001.
Që nga arritja e tyre në Kosovë, ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe – kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij, i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka. Që të dyja këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt.
Rreth 60 mijë persona që kanë ikur nga Afganistani përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, kanë përfunduar në vende të ndryshme të botës./21Media

Back to top button