Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë, arrest shtëpiak për të dyshuarit

Gjykata Themelore në Gjakovë njofton se ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj Xh.P dhe M.G, lidhur me vdekjen e dy punëtorëve të ndërtimtarisë të hënën në Gjakovë.
Në komunikatë thuhet se si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorët.
“Më 21 korrik 2025, në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi ranë nga kati i tretë i objektit në ndërtim. Për këtë ngjarje, të dyshuar janë Xh. P., si person përgjegjës i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si person përgjegjës i “M. G.” Sh.P.K, të cilët në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 par.7 lidhur me par.3 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më tej thuhet se në këtë procedurë Prokuroria Themelore e Gjakovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve por gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës penale masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e dy personave të pandehur, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Dy persona vdiqën në vendin e tyre të punës dje në Gjakovë. Ata ranë nga kati i tretë i një objekti i cili ishte në ndërtim.
Institucioni i Avokatit të Popullit, ka reaguar për humbjen e jetës së dy punëtorëve në vendin e tyre të punës në Gjakovë si pasojë e aksidenteve të ndodhura ditët e fundit.
“Këto ngjarje tragjike janë tregues i qartë i gjendjes alarmante që mbizotëron në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe pasojë e mungesës së zbatimit efektiv të standardeve ligjore të përcaktuara për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të. Këto raste janë tregues se gjendja me respektimin e të drejtave të të punësuarve, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, vazhdon të jetë e brishtë”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?