Vdiq artisti kombëtar Shyqri Nimani

(lajm i përditësuar)
Osmani: Veprimtaria e Nimanit do të mbetet dëshmi e përkushtimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës
Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.
“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të. Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Osmanit.
Krasniqi: Emri i Shyqri Nimanit do të mbetet përgjithmonë i lartësuar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me dhembje mori lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit dhe artistit kombëtar, Shyqri Nimani.
“Ai ishte pionier i dizajnit grafik në Kosovë, njëri nga themeluesit e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, si dhe kontribues i madh në themelimin dhe zhvillimin e shumë institucioneve tona të artit“, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi tha se në historinë më të re të shtetit të Kosovës, emri i Shyqri Nimanit do të mbetet përgjithmonë i lartësuar, si mjeshtri që shkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Nimani, studentëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të profesorit Nimani. Prehu në paqe, Profesor!“, shkroi më tej Krasniqi.
Çeku: Vepra e Nimanit do të jetë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm
Minsitri Kulturës, Hajrullah Çeku ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes artistit Shqyri Nimani dhe profesorit Arsim Fehmiu.
“Brenda dy ditësh humbëm dy personalitete të veçanta të kombit, Arsim Fehmiun dhe Shyqri Nimanin, profesionistë e veprimtarë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushat e arsimit, artit e sportit. Vepra dhe kontributi i Fehmiut dhe Nimanit, sikurse deri tash, do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Trashëgimia e tyre do të kultivohet me kujdes e përkushtim institucional. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e respektuara Fehmiu dhe Nimani, si dhe për kolegët, komunitetet përkatëse e gjithë qytetarët.Lavdi jetës dhe veprës së Arsim Fehmiut dhe Shyqri Nimanit.”, ka shkruar ai.
Kuvendi nderon me një minutë heshtje vperën dhe jetën e Shyqyri Nimanit
Vepra dhe jeta e Shyqyri Nimanit, është nderuar me një minutë heshtje edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se akademiku, Shyqri Nimani ka pasur karrierë të bujshme dhe pas vetes ka lënë gjurmë të thella artistike.
“Sapo e morën lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë akademiku dhe artisti jonë i madh, Shyqri Nimani, mjeshtri I arteve të bukura, ishte një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë I cili pas tij la një karrierë të bujshme dhe me gjurmë të thella artistike me shumë vepra të tij të cilat I gjejmë prej simboleve të KosovaFilm e deri tek UP…shkronjat e tij të arta mund t’i gjeni edhe në deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Republikën e Kosovës në të cilën përfundoi 16 orë për ta përfunduar, ishte një njeri i rrallë, unik e shembull për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm për shoqërinë tonë“, ka thënë ai.
Vdiq artisti kombëtar Shyqri Nimani
Ka vdekur sot profesori dhe artisti kombëtar Shyqri Nimani.
Lajmin për vdjekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Agon Nimani i cili edhe ka njoftuar për ceremoninë mortore.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të më të dashurit tonë, profesorit dhe artistit kombëtar Shyqri Nimani.
Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore:
E premte, 23 qershor
14:00-15:00h
Homazh në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë).
15:00-16:00h
Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (amfiteatri i TKK).
17:00h
Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arbëri).
E pamja:
24, 25, 26 qershor
(e premte – dielë)
Rruga Major Mehmet Bushi, Vila 15/1, (Shtëpia e familjes, Bregu i Diellit) Prishtinë
nga 11:00-18:00h.
Familja Nimani”.”, ka shkruar ai në Facebook.
Shyqri Nimani ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Nimani u lind në Shkodër më 6 maj 1941. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i Qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991 – 1994.