Vdiq kompozitori Fahri Beqiri

 

Sot në moshën 85 vjeçare ka vdekur kompozitori i njohur shqiptar, Fahri Beqiri.

Lajmin e ka bërë të ditur muzikanti, Ylber Asllanaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Pusho në paqe prof.Fahri! Do të të kujtojmë me respekt e dashuri për aq sa t’jemi edhe ne!”, ka shkruar ai.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga ora 14:00 deri 15:00 do bëhen homazhe ndërsa, varrimi do të bëhet sot në ora 17:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Fahri Beqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës.

Studimet e larta për kompozim i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd. Fahriu ishte udhëheqës artistik i Ansmbalit “Shota” i shoqërisë artisike “Kastriotët” e Ferizajt dhe udhëheqës i Festivalit “Kosovraja këndon”.

Numri i veprave të muzikës artistike-serioze te ky kompozitor nuk është i madh por i rëndësishëm. Të tilla janë veprat” “Poema simfonike”, “Kuinteti frymor” “Sonata për klarinet dhe piano, allaturka për piano”.

Fahri Beqiri,  në vitin 2013 ishte nderuar nga Ministria e Kulturës me çmimin për Vepër Jetësore “Niketë Dardanë”. Këtë çmim ia kishte dhuruar ministri i atëhershëm i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili kishte thënë se kompozitori Fahri Beqiri ka dhënë një kontribut të madh në artin muzikor në Kosovë./21Media

Back to top button