Vdiq një djalë në Skenderaj pasi i dhanë qetësues

Të premten, një burrë në Skenderaj e ka kërkuar ndihmën e policisë dhe mjekëve për djalin e tij të sëmurë mental. Por, pas një qetësuesi viktima pësoi sulm kardiak dhe vdiq.

Njësitë kanë shkuar në shtëpinë e tij, por siç raportohet, djali ishte mbyllur në dhomë. Policia dhe ekipi mjekësor meqë s’kanë arritur të komunikojnë me të, janë larguar fillimisht pa e takuar.

Rreth dy orë më pas, babai i djalit sërish ka kërkuar ndihmë e ekipi atëherë i ka dhënë qetësues djalit. Minuta më pas, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, djalit i është keqësuar gjendja dhe ka pësuar sulm kardiak.

“Rreth orës 07:00, ankuesi mashkull kosovar ka kërkuar një ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihme mjekësore djalit të tij pasi ishte i sëmurë mental. Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij, dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, i njëjti nuk ka pranuar të komunikojë me ta. Pas kësaj policia dhe ekipi mjekësor janë larguar nga ai lokacion. Rreth orës 09:40 në Stacion Policor është paraqitur prapë ankuesi pasi që sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor. Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim, por mjeku kujdestar rreth orës 09:50 ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në QKMF Skenderaj ka dalë patrulla policore dhe njësiti i hetimeve të stacionit dhe njësiti i hetimeve rajonale.

Rreth orës 12:37 ekipi i mjekësisë ligjore e kanë marrë viktimën dhe e kanë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftua prokurori. Ndërsa, rasti është nën hetime./21Media

Back to top button