Vdiq shkrimtarja ukrainase pas një sulmi me raketë në Kramatorsk

Shkrimtarja ukrainase, Victoria Amelina ka vdekur nga plagët e marra pasi një raketë ruse goditi një restorant picash në qytetin lindor të Kramatorskit të martën.

Studiuesja e krimeve të luftës bëhet personi i 13-të që ka vdekur në sulm.

Shoqata e shkrimtarëve “PEN Ukraine” tha se mjekët “bënë gjithçka që mundën për të shpëtuar jetën e saj, por fatkeqësisht plaga ishte fatale”.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë quajtur sulmin një krim lufte.

Kramatorski është nën kontrollin e Ukrainës, por është afër pjesëve të pushtuara nga Rusia.

Amelina, 37 vjeçe, po darkonte me një delegacion gazetarësh dhe shkrimtarësh kolumbianë në sallën e njohur “Ria Lounge” të qytetit kur raketa goditi. Rreth 60 persona të tjerë u plagosën në sulm.

Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin në Dnipro, por nuk i mbijetoi plagëve, tha PEN Ukraine.

“Me dhimbje të madhe ju informojmë se zemra e shkrimtares Victoria Amelina pushoi së rrahuri më 1 korrik”, thuhet në një deklaratë të grupit.

“Në ditët e fundit të jetës së Viktorias, familja dhe miqtë e saj ishin pranë saj”.

Amelina ishte një nga shkrimtaret e reja më të famshme të Ukrainës, e cila filloi të dokumentonte krimet e luftës pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar. Ajo gjithashtu filloi të punojë me fëmijët pranë vijës së frontit./21Media

Back to top button