Veliu: Kosova sërish rrezikon të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka komentuar deklaratat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili ka thënë se draft statusi evropian është i papranueshëm, pasi që sipas tij është detyrë e qeverisë që ta bëjë një draft të saj.
Veliu ka thënë për RTV21 se ka një mospërputhje mes deklarimeve të përfaqësuesve të institucioneve kryesore të vendit.
“Nga njëra anë qeveria ka marrë obligime dhe këto obligime që i ka marrë Qeveria janë shndërruar në parakushte për disa çështje të zhvillimit edhe të ecjes së Kosovës përpara, kurse nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit tash së fundi deklaron se ai statut nuk është në përputhje me Kushtetutën edhe një pjesë e kompetencave të Kosovës i merren faktikisht nëse shkon një propozim i tillë, d.m.th. ka mospërputhje mes deklarimeve gjë që LDK e ka theksuar edhe më herët që është obligim i Kosovës që ta bëjë një statut pse është vonuar Kosova në këtë aspekt, unë nuk e kam të qartë për këtë shpjegim sigurisht duhet të japë Qeveria dhe Kuvendi tash që është deklaruar i pari i Kuvendit zotëri Konjufca.”, ka thënë Veliu.
Më tej Veliu ka thënë se nëse nuk pranohet ky draft- status rrezikohet rruga integruese evropiane e Kosovës.
“Nëse bazohemi në deklaratat e Bashkësisë ndërkombëtare ata po e thonë që rrezikohet d.m.th. deklarimet e tyre janë të lidhura me këtë dinamikë me ecjen përpara të themelimit të Asociacionit deklarimet e tyre të vazhdueshme janë që rrezikohet”, ka deklaruar Agim Veliu.
Derisa ai për rtv21 po ashtu ka shtuar se një gjë e tillë e rrezikon edhe mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Unë mendoj se prapë do të rrezikohet, personalisht unë prapë mendoj se do të rrezikohet’, ka deklaruar Veliu./21Media