Vendet e Ballkanit në iniciativë për të zhdukur tregtinë ilegale të armëve

Gjermania e Franca iniciatorë të këtij projekti

Ndikimi i viteve të luftërave në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të vërehet edhe sot, me rreth 6 milion armë që janë ende në qarkullim. Gjermania dhe Franca kanë nisur këtë projekt për të zvogëluar tregtinë me armë dhe për ta vendosur atë nën kontroll.

Armatimet ilegale janë një rrezik i madh sigurie për njerëzit e Ballkanit perëndimor dhe Evropës në përgjithësi.

Në iniciativën e Gjermanisë dhe Francës, janë bashkuar Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Me 31 janar, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas do të mbajë një takim në Berlin me homologët e vendeve të Ballkanit perëndimor. Të gjitha këto vende kanë adoptuar plane kombëtare për të arritur caqet e vendosura në këtë iniciativë.

Franca e Gjermania si fuqi evropiane kanë ndërmarrë këtë aksion me vendet e Ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë. Në këtë iniciativë nuk kanë përfshirë vende që janë pjesë të Bashkimit Evropian.

Për këtë projekt vendet janë pajtuar qysh nga Samiti i Londrës i vitit 2018. Koha për të arritur kontrollin e tregtisë së armëve është përcaktuar për vitin 2024.

Ministria për Punë të Brendshme e Kosovës gjatë vitit 2019 ka raportuar se në Kosovë janë në procedurë të legalizimit 800 armë. Sipas ministrisë, Bosnjë e Hercegovina ka legalizuar gjatë këtij viti 162 armë e Serbia 1410 armë./21Media

Back to top button