“Vendet e rajonit me oferta për bizneset e Kosovës”, Shahini: Bizneset që kanë mijëra punëtorë po shqyrtojnë këto mundësi

(Lajm i përditësuar)
“Vendet e rajonit me oferta për bizneset e Kosovës”, Shahini: Bizneset që kanë mijrëa punëtorë po shqyrtojnë këto mundësi
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se bizneset të cilat po nënshkruajnë kontrata për energjinë elektrike do të paguajnë nga 250-300% më shtrenjtë se sa çmimet aktuale.
“Dhe kjo vërtetë është e papranueshme, vërtetë kjo protestë e jonë nuk ka qenë e ushqyer nga politika, ne nuk kemi traditë të protestave socio-ekonomike,” tha ai.
“Në të kundërtën, atëherë kërkesat e bizneseve prodhuese dhe shërbyese janë tepër të rënda dhe ashpërsuese, dhe ne nuk dëshirojmë të vijmë në atë moment kur mund të paralizojmë edhe tregun edhe shërbimet, dhe këto janë çështje që ne, përfaqësuesit e bizneseve, nuk do të dëshironim t’u riktheheshim protestave që do ta ndalin ekonominë,” tha ai.
“Protestat tona janë për të zhvilluar ekonominë, jo për pushtet, por protesta që duan të zhvillojnë shtetin, dhe po themi: le të punojmë, nëse nuk jeni në gjendje të na ndihmoni, mos na pengoni,” u shpreh Shahini.
Shahini po ashtu trego se bizneset kosovare po marrin oferta nga vendet e rajonit për t’i zhvendosur bizneset atje.
“Bizneset prodhuese janë në hall. Vjen momenti kur bizneset aktuale që kanë mijëra punëtorë janë duke shqyrtuar mundësinë për të dalë në ndonjë treg afër dikund, dhe qeveritë e tjera po ofrojnë oferta shumë joshëse dhe shumë miqësore për biznese, duke ofruar tokë për 99 vjet për shfrytëzim për 1 euro, zona industriale dhe energji elektrike për 70% më lirë për 70% të punësuarve me mbështetje të institucioneve të atij vendi, kurse pagat për ata punëtorë deri në 3 vjet i garantojnë me një vlerë mbi 50%. Nëse këto ndodhin, bizneset tona do të lëvizin lirshëm andej ku është më lehtë.”, u shpreh ai./21Media
Tregu i lirë, Shahini: Qeveria po synon që bizneset e mëdha t’i bëjë të vogla, kjo na varfëron
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve , Agim Shahini në emisionin “Click” në RTV21 tha se po protestojnë për padrejtësinë që ZRRE-ja u ka bërë bizneseve. Ai tha se energjia është lëndë e parë për shumë biznese.
“Por kjo energji, me vendimin e ri që kinse është treg i lirë, treg i hapur – nuk është ashtu. Slogani ‘treg i lirë’ nuk qëndron, por mund të thuhet lirisht se është treg i shtrenjtë. Dhe jemi gjendur në një situatë ku ky vendim vjen në kohën kur energjia elektrike në tërë globin është në rënie si çmim. ZRRE-ja e ka sjellë këtë vendim për këto biznese në kohën kur është sezoni i verës, kur konsumi është më i vogël, kur energjia nga derivatet e naftës në tërë botën ka rënie – dhe kur ka rënie atje, kjo mënyrë drejtpërdrejt ndikon edhe në rënien e çmimit të energjisë elektrike. Ndërsa te ne, kjo vjen si shtrenjtim.
Nëse i analizojmë çmimet e Kosovës nga 1 qershori me çmimet e vendeve të tjera, atëherë mund të ‘mburremi’ se jemi lider – jemi më të shtrenjtët. Dhe këto politika të Qeverisë së Kosovës janë politika që bizneset e mëdha t’i bëjnë të vogla, bizneset e vogla t’i bëjnë edhe më të vogla. Dhe kjo neve na varfëron”, tha Shahini.
“Ky vendim është drejtpërdrejt kundër prodhuesve vendorë dhe do të ndikojë në rënien e prodhimit”, tha ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?