​Vendet evropiane, SHBA e zyrtarët ukrainas do të zhvillojnë bisedime nesër në Gjenevë

Përfaqësuesit e vendeve evropiane do të diskutojnë planin e paqes të SHBA-së për Ukrainën me përfaqësuesit amerikanë dhe zyrtarët ukrainas nesër në Gjenevë, tha një burim nga qeveria gjermane për mediat e Gjermanisë.

Presidenti amerikan Donald Trump i dha Kievit afat deri të enjten për t’iu përgjigjur planit të tij të propozuar të paqes prej 28 pikash.

Drafti, i cili u zbulua në media më parë këtë javë dhe iu paraqit zyrtarisht Kievit të enjten, ka ngritur shqetësime në Ukrainë dhe midis partnerëve të saj kryesorë evropianë, pasi përfshin lëshime të gjera territoriale dhe ushtarake ndaj Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka emëruar një delegacion negociues për bisedime me Uashingtonin, Rusinë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të përfshirë, sipas një dekreti të botuar në Kiev të shtunën, raporton KosovaPress.

Ai emëroi shefin e Shtabit Andriy Yermak si kryenegociator. Delegacioni prej nëntë anëtarësh përfshin gjithashtu Kirill Budanov, kreun e shërbimit të inteligjencës ushtarake.

Zelensky tha të premten se plani i paqes i SHBA-së e lë Ukrainën përballë “një zgjedhjeje shumë të vështirë: ose humbjen e dinjitetit të saj ose rrezikimin e humbjes së një partneri kyç”, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.

Pa mbështetjen e SHBA-së, e cila siguron armë dhe inteligjencë kyçe për luftën e Ukrainës kundër forcave ruse, vazhdimi i luftës do të ishte shumë më i vështirë për Kievin. Nuk u dha asnjë kohë ose vend i saktë për bisedimet.

Back to top button