Vendi në bllokadë, Kurti në Greqi

Në kohën kur afati i përcaktuar nga kushtetuesja për konstituim të Kuvendit sa vjen e afrohet, kryeministri në detyrë dhe kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po qëndron jashtë vendit.
Ai po merr pjesë në simpoziumin Symi në Greqi, një tubim vjetor i mendimtarëve global që përcjell traditën e filozofëve të vjetër grek.
Fotografitë që u nxorën dje nga pjesëmarrës tjerë shfaqnin Kurtin në një ambient veror në ishullin grek derisa po dëgjonte mendimet mbi temën kryesore të këtij viti “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i Shpresës në një Botë të Turbullt. Kultivimi i Paqes, Demokracisë dhe Shoqërive Rezistente”.
Vizita e Kurtit në Greqi ngjalli reagime dhe kritika të ashpra të partive të deritashme opozitare.
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, tha se forumet e tilla janë pa asnjë ndikim për shtetin e Kosovës dhe se sipas saj Kurti po i ikë përgjegjësisë politike duke keqpërdorur edhe paranë publike.
“Pjesëmarrja e Kurtit me kosto akomodimi prej min. 700-euro nata, ngre dyshime për keqpërdorim të fondeve publike, veçanërisht kur Kosova po përballet me sfida të rënda ekonomike (16.6% varfëri dhe 16.3 papunësi) dhe politike (pa kuvend, pa qeveri, pa institucione). Forumet e tilla, pa ndikim te qartë në normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e tjera, njohjeve të reja apo integrimit të Kosovës në BE, bëhen vetëm për tangërllëk personal dhe pushime luksoze të Albinit, në kurriz të buxhetit publik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Qëndrimi i Kurti në Greqi, u kritikua edhe nga LDK-ja. Deputeti i kësaj partie Krenar Xhaferi ironizoi më këtë çështje duke thënë se pas kthimit nga Greqia ndoshta Kurti mund të jetë më i relaksuar për arritjen e një zgjidhje për ngërçin në Kuvend.
“Jemi ne situatë të fende politikë ekonomike kemi një kryeministër që rri në Greqi nga foto me shorce që kemi parë shihet se aq serioze është takimi derisa ne jemi ne një bllokadë totale dhe kjo është papranueshme e pakuptimtë. Jemi në muajin gjashtë të Bllokadës dhe s’kemi asnjë hap ne drejtimin e një marrëveshje politike, këtë marrëveshjeje duhet ta bëjë Kurti ai është ne Greqi…kjo bllokade zgjidhet vetëm nga bllokuesi. Ai duhet ta zhbllokoj situatën. Çdo marrëveshje që bëhet është mirë sepse është detyrë e LVV-së me tejkalu ngërçin derisa ne do jemi rojtar, gardian të shtetit. A do të ketë rezultat apo jo (takimi Kurti-Limaj) varet nga Kurti, kur vjen nga Greqia ndoshta është me i relaksuar dhe mund të arrijë edhe marrëveshje”, ka thënë Xhaferi për rtv21
Kritikave të ish-opozitës për vizitën e Kurtit në Greqi iu përgjigj zëdhënësi i Vetëvendosje, Arlind Manxhuka. Ai pyetur nga RTV21 ai nuk dha detaje për arsyen e kësaj vizite dhe as se kur Kurti do të kthehet në Kosovë.
“48 herë opozita vazhdon me e shkel Kushtetutën me mosvotim dhe tash gjoja se qenkan shqetësuar me një mungesë të Kryeministrit Kurti. Thelbi i gjësë është te refuzimi i tyre për të marrë pjesë në votim dhe mosvotimi është i barasvlefshëm me mosardhje”, ka theksuar ai.
Sa i përket shpenzimeve qëndrimit të Kurtit në Greqi, Manxhuka sqaroi se ato janë mbuluar nga simpoziumi.
Kritikat ndaj qëndrimit të Kurtit në Greqi, analisti politik Shkodran Rexhaj, i cilëson si të hershme, përderisa siç thotë ende nuk dihet efekti i vizitës.
Si shkak i qëndrimit të tij në Greqi, Kurti mungoi në përpjekjen e djeshme për kostituim të Kuvendit derisa nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm në atë të nesërme.
Përpjekjet për konstituimin e Kuvendit kanë nisur që nga 15 prilli por deri më tani kanë qenë të pasuksesshme. /RTV21/21Media