Vendimi i Gjykatës së Gjakovës: Paraburgim për katër shtetasit e Serbisë

(Lajm i përditësuar)
Vendimi i Gjykatës së Gjakovës: Paraburgim për katër shtetasit e Serbisë
Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S. që dyshohet se kanë kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Personat që u arrestuan ditë më parë ishin paraqitur si pelegrinë, e më pas u kuptua që njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, e një tjetër kapiten i ushtrisë serbe. E dy të tjerët u konfirmua në seancën e së hënës se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Atyre iu gjetën armë të ftohta dhe një sëpatë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 5 prill 2025 dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Serbët e paraqitur si pelegrinë mbesin nën masën e sigurisë
Katër të dyshuarit serbë me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., që u arrestuan gjatë kësaj fundjave në Gjakovë, e të cilët dyshohet se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e ndalimit deri në vendim të gjykatës, pas kërkesës së Prokurorisë.
Kështu ka bërë të ditur gjykatësi, Samedin Cena.
Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë ndaj këtyre katër të arrestuarve, kanë nisur hetimet dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, me ç’ rast ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokurorja Venera Shala ka propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë në bazë të arsyeve, derisa ka kërkuar nga gjyqtari të marrë parasysh kërkesën.
“Prandaj, propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë ne bazë të arsye, prokurori i shtetit përmes kësaj kërkese gjithashtu njofton gjyqtarin e procedurës se është parashikuar që sa më parë të merren në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët, ku varësisht nga këto rezultate do të ndërmerren veprime tjera hetimore për këtë çështje penale. Propozoj gjyqtarit të procedurës paraprake që pas kësaj seance të pandehurve t’i caktojë masën e paraburgimit prej masës së një muaji”, tha ajo.
Në seancën përgatitore, i dyshuari Pavle Keagoviq deklaroi se punon si inspektor policie në Krajgujevc të Serbisë, ndërsa Milovan Steviq tha se është mjek stomatolog në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë, në Beograd.
Dy të tjerë janë identifikuar si teknik i komunikacionit dhe inxhinier i pylltarisë.
Derisa dy të dyshuar përmes avokatëve kanë ofruar mundësinë e dorëzanisë, njëri me shumë pesë mijë euro e tjetri dy mijë euro, mbrojtja gjithashtu ka kundërshtuar propozimin e prokurores që ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.
Ndërkohë, nga prokuroria thanë se të dyshuarve iu janë gjetur mjete mprehtëse dhe ekziston dyshimi apo edhe mundësia e arratisjes, pasi katër të dyshuarit kanë nënshtetësi serbe.
Avokatët e mbrojtësve kanë deklaruar se mjetet mprehtëse të gjetura nuk përbëjnë vepra penale.
Përndryshe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka njoftuar se në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
“Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe. Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, ka shkruar ai.
Xhelal Sveçla theksoi se hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe. Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar ai.
Përfundon seanca ndaj katër serbëve të arrestuar në Gjakovë
Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj katër serbëve që u arrestuan të dielën në Gjakovë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj. /21Media
Dy nga të arrestuarit konfirmojnë se punojnë në institucione të sigurisë në Serbi
Dy nga katër serbët e arrestuar një ditë më parë në Gjakovë, pasi iu gjetën armë të ftohta, kanë konfirmuar se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Pavle Kragoviq ka thënë se punon inspektor i Policisë në Kragujevc të Serbisë. Ndërsa Milovan Steviq deklaroi është doktor, stomatolog, në akademinë ushtarake të mjekësisë në Beograd.
Në gjykatore për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë edhe Branko Rakiq i cili deklaroi se është teknik i komunikacionit dhe Nemanja Vamoviq i cili tha se është inxhinier i pylltarisë.
Rakiq dhe Kragoviq janë me dyshtetësi, kurse Steviq dhe Vamoviq janë vetëm shtetas të Serbisë.
Katër serbët e arrestuar dalin para gjykatës, ishin paraqitur si pelegrinë
Në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka nisur seanca për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të arrestuarve, të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, që u arrestuan gjatë kësaj fundjave në Gjakovë.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë ndaj këtyre katër të arrestuarve kanë nisur hetimet dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.
Mbrëmë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoj se në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë së Kosovës më 5 dhe 6 prill 2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë, prej tyre katër oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.
Sipas Sveçlës, dyshohet se serbët e arrestuar kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Po ashtu sipas Sveçlës njëri nga të arrestuarit është i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orësh, ka shkruar Sveçla në Facebook.
E me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dje u mbajt edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.