Vendimi i KQZ-së kundër Listës Serbe “alarmon” SHBA-në dhe BE-në

Të shtunën që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit duke miratuar edhe listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha partive, përveç Listës Serbe. Kundër Listës Serbe votuan përfaqësuesit e LVV-së, ndërsa partitë e tjera shqiptare abstenuan. Ky veprim është përcjellë me shqetësim nga faktori ndërkombëtar.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, në një përgjigje për RTV21, veprimet e anëtarëve të KQZ-së i ka cilësuar si cenim të parimit themelor të demokracisë, që dëmton partneritetin SHBA-Kosovë.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar publikimin e rezultateve zgjedhore për Listën Serbe është në kundërshtim me të drejtën demokratike të qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Çdo veprim që cenon këtë parim themelor të demokracisë rrezikon të dëmtojë partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke minuar standardet demokratike dhe besimin në procesin zgjedhor.”

Mosmiratimi i rezultateve të Listës Serbe në KQZ është parë me shqetësim edhe nga Bashkimi Evropian. Ky union, përmes një reagimi, ka vlerësuar se depolitizimi i KQZ-së është i domosdoshëm, duke kërkuar që të gjithë të zgjedhurit e popullit ta kenë ulësen e tyre të garantuar në Kuvend.

“BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare. BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku në përputhje me Kushtetutën. Është e rëndësishme që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës.”/RTV21

Back to top button