Vendimi për ish-krerët e UÇK-së para pushimeve verore?

Kanë kaluar 50 ditë nga përmbyllja e çështjes gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së dhe të njëjtit vazhdojnë të jenë në paraburgim pasi Gjykata Speciale i sheh si rrezik për dëshmitarët.
Sipas Gjykatës, paraburgimi synon parandalimin e rrezikut të hakmarrjes kundër dëshmitarëve ose përpjekjet për të nxitur një dëshmitar të tërheqë dëshminë e tij.
Në një përgjigje për rtv21, Gjykata Speciale nuk bëri të ditur se kur saktësisht do të merret vendimi për Thaçin dhe të tjerët por tha se gjyqtarët kanë 90 ditë afat për të marrë vendimin nga përmbyllja e procedurës gjyqësore, që bie deri më 19 maj.
“Nëse u duhet më shumë kohë për shqyrtimin e tyre, këto 90 ditë mund të zgjaten. Në shqyrtimet e fundit të paraburgimit, gjyqtarët kanë konstatuar se z.Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij paraqesin rrezik për të kryer vepra të mëtejshme penale, veçanërisht kundër personave që dëshmuan, duke theksuar se paraburgimi synon gjithashtu të parandalojë rrezikun e hakmarrjes kundër dëshmitarëve ose përpjekjet për të nxitur një dëshmitar të tërheqë dëshminë. Trupi Gjykues do të vazhdojë të shqyrtojë çdo dy muaj për secilin prej të akuzuarve nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, tha për RTV21 zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.
Pretendimet Gjykatës Speciale për mos lirim nga paraburgimi për ish-krerët e UCK-së, organizata e veteranëve të Lufëts I konsideron si absurde duke thënë se nuk ka asnjë arsye që ata mbahen në paraburgim deri në vendimin final. Sipas, nënkryetarit të OVL-së UÇK-së, Fatmir Sopi, çdo vendim tjetër për çlirimtarët përpos lirues do të jetë i papranueshëm.
“ E paarsyeshme sepse ata s’janë të egër… dhe nuk hakmerren ndaj askujt se s’kanë arsye sepse e drejta e dëshmitarëve serioz është në anën e tyre…..çdo vendim përpos atij lirues do të jetë i papranueshëm..”, tha Sopi për rtv21
Ndërkohë një grup gazetarësh nga Kosova dhe rajoni, përmes një letre drejtuar institucioneve të BE-së dhe Qeverisë së ShBA-së kanë ngritur shqetësime serioze për besueshmërinë e Gjykatës duke përmendur paraburgimi mbi pesë vjet pa vendim përfundimtar, zvarritjen e procesit përtej standardit të “kohës së arsyeshme” dhe edhe mungesës së transparencës përmes seancave të mbyllura. Grupi i gazetarëve në çështjet e ngritura thotë se ato nuk janë detaje procedurale, por çështje që prekin thelbin e drejtësisë dhe kanë kërkuar përgjigje të qarta. Sipas Grupit të gazetarëve shqiptarë drejtësia nuk mund të jetë selektive. Çështja gjyqësore në rastin e Thaçit, Veselit Krasniqit dhe Selimi u përmbyll më 18 shkurt. Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të UÇK që gjë është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja e të akuzuarve.
Ndërkohë, avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Taulant Hodaj pret që vendimi i shkallës së parë për Thaçin dhe të tjerët të jepet para pushimeve verore.
“Po ashtu është dhe besoj se gjithsesi do të kemi një vendim para pushimeve verore se këto tribunalet ndërkombëtare që unë e konsideroj edhe Gjykatën Speciale si një të tillë , faktikisht gjithë mundohen t’i bëjnë ose para pushimeve verore, ose para Vitit të ri, rastet e mëdha të përmbyllen…besoj që këtë do ta bëjnë para pushimeve verore.”, u shpreh Hodaj për rtv21.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga fundi i vitit 2020 nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për të cilat janë deklaruar plotësisht të pafajshëm./RTV21/21Media