Vendoset taksë 100% ndaj produkteve serbe

Po ashtu është kërkuar edhe largimi i të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë nga sot do të kenë taksë prej 100%. Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.

“Nga sot t’i vendoset masa prej 100 përqind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja”, tha Shala.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’. Kryeministri, Ramush Haradinaj tha se e përkrahë këtë gjë.

“Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. Cefta nuk ka funksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj”, tha ai.

Me këtë rast, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala shkroi një postim në llogarinë e tij në Facebook përmes së cilit tregoi se Qeveria vendosi që ta ngris në 100 përqind taksën e importit ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Ne vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë, për të fuqizuar ekonominë dhe shtetësinë tonë, sot me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria vendosi që ta ngris në 100 për qind taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkangjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë. Të nderuar prodhues, kërkoj nga ju të fokusoheni në cilësi. Produktet duhet të arrijnë cilësinë e standardit më të lartë në mënyrë që konsumatori-qytetari i Republikës të Kosovës, mos të ketë asnjë mëdyshje në përzgjedhjen e konsumit të tyre ditorë.”, tha Ministri Shala dhe i ftoi tregtarët që të bëjnë zgjidhje.

“Të nderuar tregtarë, le të bashkohemi dhe të bëjmë zgjidhje kreative. Ta hulumtojmë tregun së bashku dhe të gjejmë vende tjera për të bashkëpunuar. Rritja e eksportit të produkteve dhe jo të mirave materiale, duhet të bëhet prioritet. Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë.
Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë”, shkroi Shala.

Më tej ai shtoi se digasteri që ai udhëheq do të fokusohet në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

“Ministria që unë udhëheq e përkrahur poashtu nga Qeveria e Kosovës, do të fokusohet në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, duke krijuar kushte sa më të volitshme për prodhuesit dhe tregtarët vendorë. Andaj shpresojmë në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj në rrugëtimin tone për të fuqizuar Kosovën, prodhuesin dhe tregun e saj”, shtoi më tej Ministri.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim ka ardhur nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kosova përveç që ka importin e mallrave më të madh nga Serbia, këtë vit ka shënuar edhe ngritje të importit nga ky shtet. Vlera e importit të mallrave nga Serbia nga janari i vitit 2018 deri më 15 tetor të këtij viti është rreth 360 milionë euro, kryesisht mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor. Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në këtë shtet në vlerë jo më shumë se 23 milionë euro./21Media

Back to top button