Verifikimi i listave, KQZ thotë se do të veprojë sipas aktgjykimit të Kushtetueses

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të tregojë nëse në listat me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, ka emra të cilët nuk kanë të drejtë kandidimi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se përveç KGjK-së sot i janë drejtuar edhe pesë institucioneve të tjera me kërkesën për verifikim të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt. Nga të njëjtat KQZ kërkoi që deri më 20 janar të përgjigjen rreth verifikimit.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, tha ai.

Në fund të vitit të kaluar, kur gjykata kushtetuese konstatoi se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime, deklaroi gjithashtu se çdo person që në tre vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojë për deputetët të Kuvendit të Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Institucionet nga të cilët po kërkohet të verifikohen emrat që janë në listat me kandidatë deputetë, kanë afat deri më 20 janar që t’i përgjigjen KQZ-së.

“Në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim ndërinstitucional ne kemi kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të na përgjigjen në kërkesat tona për verifikim”, tha Elezi.

Këshilli Gjyqësor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes janë institucionet që do të bëjnë verifikimin e personave që janë në listat për kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Back to top button