Veseli: Do t’i rrisim subvencionet për të gjithë fermerët e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar fermerët e fshatit Kovragë të Istogut, të cilët kultivojnë mbi 200 hektarë të mbjella me mollë
Kryeparlamentari Veseli gjatë bashkëbisedimit me dhjetëra fermerë të Kovragës, i ka siguruar ata se do të vazhdojë rritja e subvencioneve për ta dhe gjithë fermerët e Kosovës.
“Subvencionet në bujqësi nuk do të ndalen, por do të rriten edhe më shumë, sepse njerëzit që më së shumti kanë nevojë dhe e meritojnë të ndihmohen, janë ata që punojnë dhe fitojnë me djersën e tyre. Ne do të vazhdojmë përkrahjen, që tani të kalojmë tek pjesa e ngritjes së kapaciteteve përpunuese të pemëve, në mënyrë që të rritet vlera e produkteve. Po ashtu, tani shpejt fillon sigurimi i plantazheve, për çka Ministria e Bujqësisë do të participojë me gjysmën e shpenzimeve”, tha kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit i inkurajoi kultivuesit e mollave në Kovragë që të bëhen bashkë dhe të kalojnë nga kultivimi në përpunim të pemëve, duke i siguruar se do t’i mbështesë në hapjen e një fabrike e cila do të krijonte edhe shumë vende të reja të punës.
“Këtë vit janë dhënë 30 milionë euro mbështetje për bujqësi, ndërsa vitin tjetër do ta rrisim mbështetjen në 50 milionë euro, sepse fermerët tanë duhet të mbështeten edhe më shumë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Nazmi Blakaj, kultivues i rreth 20 hektarëve mollë në Kovragë të Istogut, e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për kujdesin dhe ndihmën e vazhdueshme për të gjithë fermerët.
Fshati Kovragë i Istogut kultivon mbi 200 hektarë pemë.