Veseli: Fillimi i Ri i jep përparësi gruas

Veseli ka thënë se askush nuk mund të cenoj të drejtat e grave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, pas vizitës që bëri të martën bizneseve në qytetin e Mitrovicës, ka bashkëbiseduar edhe me gratë e këtij qyteti për rolin e tyre në platformën Fillimi i Ri.

Ai me këtë rast tha se misioni Fillimi i Ri i jep përparësi gruas në shoqërinë e Kosovës.

“Ju siguroj se askush s’ka me mund me na ndal që gruaja në Kosovë të ketë rolin e shenjtë të cilin e ka edhe në familje. Nuk ka askush që mund të cenojë të drejtat e grave në shtetin tonë të pavarur e sovran, ku gratë kanë qenë më dinjitoze dhe më luftëtare në të gjitha periudhat të cilat i kemi kaluar për lirinë e Kosovës dhe shtet-ndërtimin tonë, për këtë ju siguroj. Kosova jonë e dashur nuk mund të ecë përpara pa pasur barabarësi. Ky vend nuk mund të ecë përpara pa u angazhuar, pa pasur barazi dhe drejta të barabarta, përfaqësim institucional dhe respekt edhe 50 përqindëshi tjetër, siç janë gratë. Ndryshe, vetëm mund të mbetemi në margjina të zhvillimit ekonomik, emancipimit shoqëror, edukimit të fëmijëve dhe në të njëjtën kohë ecjes përpara, asaj që është më e rëndësishme, integrimit të shtetit tonë në Bashkimin Evropian. Do të thotë, Platforma e Fillimit të Ri është shumë e qartë dhe sh umë e thjeshtë, çdo gjë që është e domosdoshme do të bëhet në dy drejtime, një drejtim do të jetë fuqizimi ekonomik…Në të njëjtën kohë duhet të fuqizohet roli i gruas, marrja e përgjegjësisë nga vetë gruaja”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, anëtarja e re e PDK-së, Arbana Xharra, ka potencuar se i njeh mirë hallet e grave në Kosovë, dhe premtoi se do të jetë gjithmonë zë I fuqishëm i tyre gjithandej. Sipas saj, gratë duhet t’i bashkohen Fillimit të Ri, sepse nuk ka kohë më për të humbur.

“Ju njoh gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës, rëniet dhe ngritjet që keni bërë ju vetë personalisht, ju njoh të gjithë juve, jo vetëm në këto denigrime që u janë bërë vazhdimisht, por unë kam bashkëjetuar, sepse edhe unë jam një grua, një nënë… Në momentin që unë vendosa vetë të marr në dorë diçka si grua, të bëj një kalim prej të qenit gazetare dhe të futem në politikë, si grua u linçova, dhe keni parë ju vetë nëpër çka kalova, linçim brutal, verbal, e deri në rrahje fizike. Por, unë sot jam këtu, edhe pse me plagë akoma të pashëruara në trupin tim, unë sot jam këtu me ju tregu të gjithë atyre të cilët bëjnë përpjekje me na ndal e me na pengu, dhe jo mua vetëm si Arbanë. Unë jam sot këtu në radhë të parë si vajza e dikujt, gruaja e dikujt dhe mbi të gjitha nënë e dy fëmijëve, me ju fol me zemër dhe me ju tregu se nuk kanë më ndalë me besuar në një vizion, në Fillim të Ri, në një njeri i cili mua më ka bindur që të lë karrierën prej 18 vitesh dhe të punojë për këtë vend, ndërsa ky vend nuk mund të ndryshojë pa pjesëmarrjen tonë, të gruas, pa fuqizimin tonë. Fuqizimi i gruas nis me lidership dhe vullnet politik…Unë ju kam bashkuar këtij rrugëtimi dhe po ju ftoj të gjithave bashke t’i bashkohemi, nuk kemi kohë më me humb”, u shpreh mes tjerash Xharra.

Në anën tjetër, Valbona Sadiku, afariste e suksesshme nga Mitrovica, ka bërë të ditur se numri i grave, të cilat udhëheqin biznese është akoma i vogël. Ajo bëri thirrje që ky numër të rritet sa më shumë, duke kërkuar më shumë respekt nga institucionet qeveritare.

Back to top button