Veseli: Koalicioni PDK-AAK-Nisma- koalicion i fitores

Veseli ka thënë se koalicioni me AAK-në dhe NISMA-n  do të bëjnë ndryshime në vend

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se koalicioni me AAK-në dhe NISMA-n është në interesin më të mirë të Kosovës.

Sipas Veselit ky ekip do ta jetësojë Fillimin e Ri për Kosovën.

“E kam thënë më herët, po edhe sot – Partia Demokratike e Kosovës është partia që i vendos interesat e qytetarëve të Kosovës para çfarëdo interesi politik.  PDK është partia e veprimeve dhe e vendimeve. PDK është partia që shënon rezultate për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Si kryetar i PDK-së, gjithmonë i kam vendosur interesat e qytetarëve të Kosovës si prioritet kryesor. Sot e pata kënaqësinë ta vizitoj sërish Malishevën. U zotova para qytetarëve të Malishevës, para përkrahësve tanë, se ne do t’ia sjellim Malishevës Fillimin e Ri për një zhvillim të hovshëm dhe të gjithmbarshëm, veçanërisht në bujqësi dhe në prodhim. Koalicioni me AAK-në dhe NISMA-n është në interesin më të mirë të Kosovës dhe ne do ta shënojmë fitoren më të madhe ndonjëherë”, ka theksuar i pari i PDK-së.

Veseli po ashtu ka thënë se  ata janë  një ekip udhëheqës që mund të marrë vendime dhe të arrijë rezultate për vendin.

“Ekipi ynë udhëheqës do ta jetësojë Fillimin e Ri për Kosovën, ku gratë dhe të rinjtë janë të barabartë në tregun e punës dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi. NE DUHET TË INVESTOJMË NË BUJQËSINË E KOSOVËS, NE DUHET T’I FUQIZOJMË GRATË DHE TË RINJTË TANË, NE DO TA INTEGROJMË KOSOVËN PLOTËSISHT NË BE DHE NË NATO. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim, që fuqishëm t’i bashkoheni dhe ta përqafoni platformën tonë fituese që, më 12 qershor, së bashku t’i dhurojmë Kosovës Fillimin e Ri”, thekson Veseli./21Media

Back to top button