“Kosova po bëhet lidere e transformimit infrastrukturor në rajon”

Haradinaj: Është me rëndësi që Kosova të jete e përgjegjshme t`i përfundoj projektet me kohë

Ministria e Infrastrukturës ka përuruar segmentin e tretë- të parafundit të Autostradës “Arbën Xhaferi”.

Më këtë rast kryetari i kuvendit Kadri Veseli, sot në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 “Arbën Xhaferi”, e ka cilësuar këtë projekt të jashtëzakonshëm për Kosovën, e cila e bën krenar gjithë popullin e saj. Veseli tha se Kosova për një kohë rekorde është duke u shndërruar në lider të transformimit infrastrukturor në rajon. “Sot në Kosovë kjo është realitet. Dhe po ndodhë. Autostrada “Arbën Xhaferi” është duke hedhur shtat dhe besojmë që deri më 28 nëntor të këtij viti, do të shkojë deri te kufiri me Maqedoninë”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se krahas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, i cili, siç tha Veseli, pritet të ndodhë në fund të këtij viti, Kosova po krijon lidhje të fuqishme dhe moderne infrastrukturore me vendet fqinje dhe ato të BE-së, përfshirë portet e rëndësishme rajonale. “Kosova tanimë po lidhet me të gjitha korridoret rrugore dhe portet detare. Të gjitha këto lidhje dhe udhëtimi pa viza që do të ndodhë së shpejti tregojnë më së miri shkallën e integrimit tonë me vendet evropiane”, theksoi Veseli.

Ndërsa kryeministri Haradinaj tha se investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta, por e ndryshojnë ekonominë e vendit.  “Gëzimi i sotëm për mua është për gjysmë, sepse e di që gëzimi është i plotë kur përfundon komplet. E di që ku takohemi atje do të jemi më të gëzuar. Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta, por e ndryshojnë ekonominë e vendit. Një parametër kryesor për investime është koha dhe kohën e shkurton infrastruktura. Është me rëndësi që Kosova të jete e përgjegjshme t`i përfundoj projektet me kohë. Me këtë i kemi dhënë edhe imput zhvillimit ekonomik, ka thënë Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha: “Me moton ‘jo shpejtësisë, por sigurisë’, jemi takuar në këtë ditë të veçantë që të bëjmë përpunimin e këtij segmenti prej 11 km, që i bie të jetë segmenti i parafundit. Ashtu si sot para 7 muajsh jeni të lumtur që po përmbyllim një projekt gjigant. Jemi duke shkuar drejt kompletimit të kësaj autostrade që do të jap rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik. Këtë rrugë me standarde e siguri të lartë e bëjmë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht. Ne prapë do të jemi bashkë për të përuruar urën më të gjatë në rajon”.

Ambasadori Greg Delawie, tha se Kosovës i duhen rrugë të mira për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me rajonin.“Kurrë s`kam ardhur nga Prishtina më shpejt këtu. Në këtë dhjetor do ta përfundoj segmentin e fundit dhe kjo është një arritur e madhe. Kosovës i duhen rrugë të mira për të ndërtuar marrëdhënie të mira me rajonin. Kompanitë në Kosovë po marrin eksperiencë të mirë në ndërtimin e rrugëve. Projektet e tilla nuk janë të lira, por e falënderoj qeverinë  për punën që kanë bërë”, ka thënë Delawie.

Përurimi këtij segmenti të gjatë mbi 10 kilometrash u mbajt nën moton e kampanjës “Jo shpejtësisë, po sigurisë”, e cila kampanjë ka për qëllim vetëdijësimin e ngasësve të automjeteve dhe rritjen e sigurisë në trafik./21Media

 

 

 

Back to top button