Veseli: Vendi po ngec për mungesë lidershipi

Veseli ka thënë se fillimi i ri i jep përparësi dhe ka prioritet gruan dhe të rinjtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë nga komuna e Ferizajt.

Me këtë rast ai ka thënë se fillimi i ri i jep përparësi dhe ka prioritet gruan dhe të rinjtë.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se ka biseduar me shumë të rinj të cilët kanë paraqitur problemet me të cilat ata përballen. E për të gjitha këto probleme ai tha se kanë ndodhur për shkak të mungesës së një lidershipi të vendosur e vendimmarrës.

“Vendi jonë po ngecë në krijimin e vendeve të reja të punës, se vendi jonë po ngecë në zhvillimin e fuqishëm ekonomik, se vendi ynë po ngecë në integrimin në bashkimin evropian, lëvizje të lirë dhe integrime në NATO. E gjitha kjo ishte për arsye se nuk kishim një lidership të vendosur dhe vendimmarrës për të dërguar proceset përpara. Mënyra për të realizuar këto qëllime të cilat janë edhe të rinisë, por edhe të qytetarëve tanë”, tha ai.

Veseli tha se fillimi i ri në veçanti i jep përparësi gruas dhe vajzave për shkak se nuk ka mundësi të ecet përpara pa përfaqësimin e fuqishëm gjinor.

Kurse, ministri në largim i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se gjatë bisedave që kanë bërë me të rinjtë, një nga brengat e tyre ka qenë mungesa e lëvizjes së lirë.

“Një nga brengat më të mëdha të cilat na i kanë shprehur në çdo takim është lëvizja e lirë. Sot fatkeqësisht të rinjtë tanë janë të privuar nga kjo e drejtë themelore të cilën e kanë pothuajse secili banor i Evropës tashmë dhe këto nuk janë të vetmet probleme por janë ndoshta 5 temat qendrore të cilat i kemi identifikuar”, tha ai.

Sipas tij kjo është arsyeja pse rinia, problemet e tyre janë në katër shtyllat themelore të programit në Fillimin e Ri./21Media

Back to top button