Vetëdorëzohet autori i plagosjes në Pejë

I dyshuari për veprën penale “Vrasje e Rëndë në Tentativë” është vetëdorëzuar sot pas investigimeve intensive të policisë në Pejë.
Ngjarja kishte ndodhur më 22 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, në rrugën “Ahmet Gjikolli”, kur një person u plagos me armë zjarri dhe u dërgua fillimisht në spitalin rajonal në Pejë, e më pas në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti dhe sekuestrua tri gëzhoja.
Pas hetimeve intensive të Drejtorisë Rajonale të Policisë Pejë dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit, i dyshuari sot rreth orës 12:00 u vetëdorëzua, duke dorëzuar edhe armën me tre fishekë, me të cilën dyshohet se kreu veprën penale.
I dyshuari u intervistua në prezencë të avokatit mbrojtës dhe më pas, me aktvendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon për përgjegjësi dhe respekt të ligjit.