IKD: Politika po ndërhyn në lëndët e zvarritura

IKD: Politika po ndërhyn në lëndët e zvarritura

Ankesat kryesore ndaj sistemit të drejtësisë janë zvarritjet ndaj lëndëve. Madje gjatë zvarritjes në to ndërhyn edhe politika. Kështu u tha në ditën e tretë të “Javës Kundër Korrupsionit”, ku koalicioni i OJQ-ve mbajti një tryezë diskutimi me temën “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i Sistemit të Drejtësisë-Nevoja për Vetting:”.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se pas shpalljes së pavarësisë, sistemi i drejtësisë vazhdimisht është ballafaquar me probleme, ku siç potencoi ai kryesisht kanë të bëjnë me zvarritjen e lëndëve në Gjykata.

“Sepse në Kosovë edhe në Këshillin Prokuroial edhe në Këshillin Gjyqësor, por edhe Policia e Kosovës si institucion i pavarur dhe në një formë nëse e shohim rregullimin ligjor atëherë mund të themi se në masë të madhe janë të pavarura, madje janë si shtet brenda shtetit, sepse kanë aq shumë pavarësi sa që po iu mungon në masë të madhe llogaridhënie ndaj qytetarëve”, tha Musliu.
Sipas tij skandale ka pasur edhe në Policinë e Kosovës duke përmendur kështu vjedhjet që janë bërë në dhomën e dëshmive në Prishtinë dhe Pejë.

Ndërsa, përfaqësuesja e ambasadës amerikane, Michaele Lakomy, sa i përket Vettingut tha se ideja është që të fokusohet në sigurimin e personave me integritet në institucione.

“ Pika fillestare është që secili proces i Vettingut duhet që të fillojë me aspekte të rekrutimit , është më e lehtë që të gjeni dikë me integritet dhe t’i mbani ata në një drejtim që dëshironi të jenë nga fillimi, në vend që të mundoni që të përmirësoni sjelljet e keqe, ose sjelljet që nuk i dëshironi. Kosova ka qenë e angazhuar ndaj këtij procesi në 2010 dhe kemi parë që njerëzit brenda sistemit kanë dashur që të mirëmbajnë këtë. Si institucion i Kosovës kanë pasur mekanizma që të sigurohen që njerëzit performojnë tek standardet dhe çfarë kemi parë është që edhe pse këto mekanizma ekzistojnë, është një mungesë komunikimi “, deklaroi Lakomy.

Nehat Idrizi, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vlerësoi se gjykatat performojnë kënaqshëm, në vitet e fundit. Madje, siç tha ai më shumë ka pasur përfundim të lëndëve se sa të pranimit të tyre.

“ Gjykatat performojnë kënaqshëm sidomos në dy, tri vitet e fundit, por edhe këtë vit, kanë dëshmuar një produktivitet, 100 për qind më shumë lëndë janë përfunduar se sa që janë pranuar. Kjo megjithatë nuk është për t’u nënvlerësuar, pa dashur të hyj në kualitetet e e drejtësisë, shifrat flasin, gjykatat në Kosovë janë në gjendje që të ushtrojnë funksionin primar të tyre, ose minimum të ofrimit të shërbimit gjyqësore efikase dhe të arsyeshme, me përjashtim që sidomos dy Gjykatat Themelore në Prishtinë dhe në Pejë, për shkak të numrit të madh të lëndëve e kanë të pamundur të bëjnë këtë”, shtoi Idrizi.

Sa i përket zvarritjes së lëndëve , ai u justifikua se kjo nuk ndodh në të gjitha gjykatat. I pyetur se a është pro Vettingut tha se duhet të bëhen analiza më të detajuara se a është e nevojshme një gjë e tillë.

Në lidhje me këtë është pajtuar edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, ku tha se prioritet në trajtim kanë rastet kundër korrupsionit.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Vettingut ai tha se duhet të jetë permanent, e jo të ndryshohen emra.

Ndryshe, nga këta të fundit, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se Vettingu do të pastrojë institucionet dhe se një gjë e tillë do te duhej të ndodhte tash e sa kohë.