Veturat e preferuara të kosovarëve

2 min read

Afro 400 mijë automjete qarkullojnë në rrugët e Kosovës. E veturat të cilat qarkullojnë në vend janë nga më të ndryshmet, por ato që vijnë nga familja e Volkswagenit mbeten më të preferuara për kosovarët.

Janë hiç më pak se 106 mijë e 559 vetura të tipit Volkswagenit që qarkullojnë në rrugët e Kosovë.

Sipas të dhënave që ka siguruar portali rtv21.tv nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), pas Volkswagenit, kosovarët janë “merakli” të Opel-it, Audi-së, Mercedes Benz-it e BMW-së.

Në vend qarkullojnë 37 mijë e 111 vetura të markës “Opel”; 26 mijë e 555 vetura “Audi”; 24 mijë e 219 Mercedes Benz-a dhe 17 mijë e 1 BMW-ja.

Po ashtu kosovarët vozisin edhe vetura tjera si: Renault (13.027), Peugeot (12.231), Daimler Chrysler (10.680).

Mbi 9 mijë e 800 kosovarë kanë vetura të tipit “Ford”, dhe afro 8 mijë kanë “Citroen”.

Ndërsa, mjetet apo veturat që më së paku i “pëlqejnë “kosovarët janë “Casper”, “Renault 5A”, Nissan E”, “Jet” etj… të gjitha këto tipe janë vetëm nga një.

E sa i përket origjinës së këtyre mjeteve Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka thënë janë pothuajse nga e gjithë bota.

Por, sipas të dhënave të MPB-së dërguar portalit rtv21.tv, Kosova më së shumti importon automjete nga Gjermania, Zvicra, Italia, Franca e Austria. Janë gjithësej 147 mijë e 623 automjete të importuara nga Gjermania, 94 mijë e 455 të tjera nga Zvicra, 42 mijë e 600 nga Italia, 13 mijë e 108 të tjera nga Franca, pastaj Austria, Belgjika e Holanda.

Kosova më pak automjete ka importuar nga Malta, Omani, Moldavia, Turkmenistani, Mozambiku, Moinmar etj… nga të gjitha këto vende vetëm nga një veturë të cilat qarkullojnë në rrugët e Kosovës./21Media