Vit i mbarë për kosovarët, më shumë u martuan sesa u shkurorëzuan

8 mijë e 725 çifte janë martuar që nga janari e deri në korrik në vendin tonë. Kështu ka informuar për rtv21.tv Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka bërë të ditur se për 6 muaj janë shkurorëzuar 805 çifte.
Në 6 mujorin e parë të këtij viti janë martuar 733 çifte më shumë krahasuar me vitin 2021, ndërsa janë shkurorëzuar 281 çifte më pak.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në 6 mujorin e parë të vitit 2021 janë martuar 7 mijë e 992 çifte, ndërsa janë shkurorëzuar 1086 çifte, shkruan rtv21.tv
Ndërkohë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dje ka publikuar statistikat e shkurorëzimeve në Kosovë për vitin 2021. Sipas të dhënave, në vitin 2021 janë regjistruar 2 mijë e 160 shkurorëzime. Numri më i madh i shkurorëzimeve ka ndodhur në: Prizren (189 raste), ose 8.8%; Prishtinë (175 raste), ose 8.1%; Podujevë (141 raste), ose 6.5%, etj.

“Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti i dytë me 10.0%, viti i tretë me 9.0% dhe viti i katërt me 7.4% e të shkurorëzuarve. Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë te femrat e moshës 25-29 vjeçare me 461 shkurorëzime, ose 21.3%; kurse tek meshkujt dominojnë te moshat 30-34 vjeç, me 489, ose 22.6%.”, ka bërë të ditur ASK./21Media
Back to top button