“Vjedhja e votave”, Prokuroria nisi hetimet në Drenas por jo në Podujevë

Gjetjet e KQZ-së, gjatë një procesi të pjesshëm të rinumërimit të votave shpërfaqën se në shumicën e komunave të Kosovës pati devijim të rezultatit brenda listës së kandidatëve për deputet, gjë që shtyri Komisionin Qendror të Zgjedhjeve te marr vendim për rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve të rregullta.

Ndonëse nga rinumërimi i deritanishëm komuna e Prizrenit vazhdon të prinë sa i përket manipulimit me vota, rinumërimi shpërfaqi se devijime të rezultatit pati edhe në komuna të tjera.

Prokuroria e shtetit ka nisur hetime edhe në komunën e Gjakovës, Malishevës, Ferizajt edhe Drenasit.

Megjithatë, një hetim i tillë ende nuk ka nisur në komunën e Podujevës, edhe pse në këtë komunë në 18 nga 110 vendvotime të numëruara janë shpërfaqur qindra vota dallim të kandidatëve për deputetë kryesisht tek lista e LVV-së. Nga 18 vendvotime të rinumëruara në Podujevë, kandidatit për deputet Ejup Maqedoncit iu janë hequr 286 vota, Vendenis Lahut 257, Adelina Stubllës 175 ndërsa dhjetëra vota iu hoqën edhe kandidatëve të tjerë të kësaj partie.

Megjithatë në këtë komunë, prokuroria themelore në Prishtinë, dega Podujevë ende nuk ka nisur hetimet. Lidhur me këtë çështje RTV21 ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka marr një përgjigje.

Kjo prokurori të hënën nisi hetime lidhur me dyshimet për vjedhje votash në komunën e Drenasit edhe pse sipas të dhënave të KQZ-së, në Drenas pati dukshëm më pak vota të manipuluara se sa në Podujevë.

Megjithatë, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga prokuroria e shtetit, Laura Pula, gjatë ditës bëri të ditur se të gjitha prokuroritë në Kosovë tashmë kanë lëshuar autorizime për grumbullim të informacioneve lidhur me dyshimet për manipulime me vota. Megjithatë, Pula bëri të ditur se prokuroritë po presin përfundimin e rezultateve përfundimtare për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.

Në këtë situatë, ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kritikuar KQZ-në pasi që sipas tij ky institucion po bën rinumërimin në një formë kaotike. Haxhiu kërkoi nga prokuroria të hetohet edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe siç tha gjithë të tjerët që kanë pasur guxim të manipulojnë me votën e qytetarëve.

“Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm. KQZ, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor. Kërkojë rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale”, tha Haxhiu.

Nga prokuroritë themelore nëpër gjithë Kosovën deri më tani punën më të madhe e pati ajo e Prizrenit. Atje, Gjykata Themelore vendosi masën e paraburgimit për 23 komisionerë të përfshirë në manipulimet me vota ndërsa dhjetëra të tjerë janë duke u hetuar./RTV21/21Media

Back to top button