Vmro me tre padi penale për ligjin për gjuhët, Kekenovski dërgon shqipen në kushtetuese

Opozitarja VMRO-DPMNE ka shkuar edhe një hap më tej në kundërshtimet e saj për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve

Nga atje thonë se do të ngrejnë padi penale kundër Kryeparlamentarit Talat Xhaferi, zëvendëssekretarit gjeneral të Kuvendit Nexhbedin Ibraimi dhe Drejtorit të Gazetës Zyrtare Martin Kostovski.

“Xhaferi, Ibraimi dhe Kostovski me vetëdije dhe paramendim të plotë kanë kryer disa vepra penale, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimin, e kanë kërcënuar rendin kushtetues dhe sigurinë e shtetit. Këta persona në mënyrë të pandershme dhe të fshehtë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, kanë mundësuar shpalljen e ligjit për dygjuhësi pa nënshkrimin e Presidentit, me çka sillet dygjuhësi jokushtetuese”, Igor Janushev, VMRO-DPMNE.

Nga Kabineti i Xhaferit, të kontaktuar nga TV21 thonë se Kryetari i Kuvendit Ligjin në Gazetë Zyrtare e ka dërguar në përputhje me Nenin 52 dhe 75, Paragrafi 1 dhe 2 i Kushtetutës. Ndërkaq drejtori i Gazetës Zyrtare Martin Kostovski, nuk deshi ta komentojë paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për padi penale ndaj tij.

Opozitarja maqedonase gjithashtu kërkon vendosjen e një mase të përkohshme që do të ndalonte zbatimin e ligjit. Ata paralajmërojnë edhe kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim të kushtetutshmërisë së ligjit. Por këtë gjë, para tyre e bëri Jove Kekenovski në emër të Fraksionit demokratik të VMRO-DPMNE-së.

“Duke e pasur parasysh paragrafin 1 të amendamentit 18 të Kushtetutës, konsideroj se Kuvendi e ka miratuar këtë ligj me numër të pamjaftueshëm votash, që ky amendament e kërkon me domosdoshmëri. Gjatë sjelljes së këtij ligji, Kryeparlamentari dhe organet e Kuvendit patjetër është dashur ta kenë pasur parasysh faktin se që ligji të miratohet, e nevojshme është shumicë prej 2/3-tash, vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve në të cilën patjetër duhet të ketë vota shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët i përkasin bashkësive joshumicë në Maqedoni , tha Jove Kekenovski, nismëtar i iniciativës.

Por njohësi i kushtetutës, Naser Ziberi konsideron se në sjelljen e ligjit nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës, andaj është i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Aq më tepër që propozuesi thirret në nen, respektivisht amendament të Kushtetutës që nuk e rregullon çështjen për mënyrën e sjelljes së ligjit për përdorimin e gjuhëve. Amendamenti 18 flet për dispozita kushtetuese dhe ligjore të cilat nuk kanë të bëjnë me ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkundrazi, flet për preambullën e Kushtetutës, dispozitat që cenojnë liritë dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë, ligjit për vetëqeverisje lokale por jo ligjin për përdorimin e gjuhëve. Prandaj kërkesa që ligji për përdorimin e gjuhëve të sillet me 2/3-tat të numrit të përgjithshëm të deputetëve është joligjore dhe si e tillë nuk mund të mbështetet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Naser Ziberi, analist.

Arsye tjetër se pse nuk ka shkelje të Kushtetutës, sipas Ziberit është edhe fakti se në procedurat e paraparë me ligj dhe rregullore të Kuvendit, janë shterur të gjitha procedurat për aprovimin e ligjit.
Kekenovki i kërkon Kushtetueses që të marrë parasysh edhe mungesën e nënshkrimit të Presidentit në ligj, por Ziberi thotë se ligjvënësi e ka votuar ligjin 3 herë me shumicë absolute, dhe i njëjti me kohë është dashur të hyjë në fuqi, pavarësisht se Presidenti nuk e nënshkruante. Madje për këtë mosdekretim, sipas Ziberit Presidenti Ivanov ka shkelur nenin 75 të Kushtetutës.

Back to top button