VMRO nuk mund ta dokumentoj origjinën e saj

 Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni është nënshkruar nga partia e BDI-së , dhe koalicionet “Aleanca për Shqiptarët” e “Rilindja me Besë”

Nuk ekziston “Platformë e Tiranës” e as ndonjë “Platformë e huaj” thonë socialdemokratët. I vetmi dokument që shpjegon punën e qeverisë që po pretendon ta formojë Zoran Zaev është programi qeveritar që e shpalosi një muaj më parë.

“Për momentin ekziston vetëm Programi për qeverinë e re të Maqedonisë, i cili është i hapur për popullatën. Ai është dokumenti i vetëm i cili për momentin përflitet në popull, dhe i njëjti ka të bëj kryesisht me formimin e qeverisë së re”, tha Dejan Pavlevski nga LSDM.

Por VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit insiston në origjinën e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, duke thënë se e njëjta është nënshkruar dhe hartuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Të pyetur nga TV21, nëse posedojnë fakte për këtë që e thanë, deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Danev, tha se është gjë që shihet, duke mos treguar asnjë fakt.

“E gjithë popullata e Maqedonisë e pa ashiqare se “Platforma” ka qenë e hartuar nga Edi Rama sepse kjo marrëveshje u arrit në kabinetin e Edi Ramës në Tiranë“, tha ai. 

Deklaratat e Lëvizjes Besa në lidhje me origjinën e Deklaratës së përbashkët janë komentuar jo rrallë nga VMRO-DPMNE. Por Lëvizja Besa thotë se Deklarata është hartuar në Shkup, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama ka qenë vetëm lehtësues i këtij procesi.

“Deklaratat e VMRO-së nuk duhet marre seriozisht, ata nga halli se do përballen me drejtësinë janë në gjendje të trillojnë e të shpikin edhe të paqena tjera. Disa herë e kemi thënë publikisht se Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni rrjedh nga platformat e tyre politike, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka qenë vetëm lehtësues i këtij procesi.”

Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni është nënshkruar nga partia e BDI-së , dhe koalicionet “Aleanca për Shqiptarët” e “Rilindja me Besë”. PDSH asnjëherë nuk e ka përshëndetur iniciativën për këtë Deklaratë, duke cilësuar të njëjtën si dokument sllavo-rus. Takimet mes liderëve shqiptar për unifikimin e Deklaratës së përbashkët ndodhën në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. E për herë të parë pikat e Deklaratës u bën publike më 7 janar të këtij viti. Edhe pse akuzohet se ka hartuar të ashtuquajturën “Platformë”, ditën e publikimit të Deklaratës, kryeministri shqiptarë Edi Rama përshëndeti iniciativën e partive shqiptare në Maqedoni, duke e quajtur këtë si “Hap historik”.

Back to top button