Von Cramon: Propaganda qeveritare i dobëson shanset e Kosovës për progres

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi këshilltari i saj, Gjorgje Bojoviq, ka thënë se është nisur një fushatë në internet kundër tij lidhur me deklaratat që pati bërë në vitin 2015 për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Ajo ka ngritur pyetjen se kujt do t’i ndihmojnë me ato postime, se “Kosovës dhe eurointegrimit të saj sigurisht se jo”.

“Lajmet e rreme, fushatat dezinformuese, propaganda qeveritare… nuk do ta ndryshojnë pozicionin e dikujt, por thjesht do të dobësojnë shanset e Kosovës për të përparuar shpejt. Kjo është e trishtë për vendin”, ka shkruar ajo në platformën X.

Ajo ka bashkangjitur postimin e ish-diplomatit të Kosovës, Petrit Selimi, për këtë çështje. Selimi ka shkruar se llogari në platformë që mbështesin partinë në pushtet në Kosovë po sulmojnë secilin të huaj – ambasador, eurodeputet, emisar – që ka ndonjë kritikë për liderin e tyre, Albin Kurti.

“Jam i shqetësuar kur shoh llogari që sulmojnë personalisht miqtë e Kosovës, si Viola von Cramon (dhe stafi i saj), ambasadorët e QUINT-it dhe diplomatët (disa prej të cilëve ashtu si Hovenieri e kanë ndihmuar Kosovën që nga koha e Ahtisaarit ose Rambujesë), Ali Ahmetin, Edi Ramën, e të tjerë”, ka shkruar Selimi.

Back to top button