Votimi elektronik në Shqipëri, Zannier: Të sigurohemi nëse zgjedhjet janë me standarde ndërkombëtare

Ambasadori i OSBE/ODIHR, Lamberto Zannier në Tiranë ka ndjekur nga afër procesin e votimit në një prej qendrave të votimit në njësinë numër dhjetë, aty ku votimi është në mënyrë elektronike.
“Jemi këtu për të vrojtuar zgjedhjet dhe për të vëzhguar nëse këto zgjedhje janë me standardet ndërkombëtare. Kjo është një nga qendrat e votimit nga qendrat e shumta ku jemi ne sot. Kemi 240 vëzhgues, por janë dhe njëqindetridhjetepesë të tjerë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe Parlamenti Evropian”, ka thënë ai, shkruan oranews.
“Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar dhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit, nesër do të kemi një konferencë për shtyp. Konferenca do të jetë nesër në 15:00 dhe do të jeni të gjithë të ftuar. Nuk do të ishte domethënëse nëse do të jepja një mendim sot. Unë jam një person në një qendër votimi. Sigurisht që jam duke mbledhur informacion dhe jam në këtë QV sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që dhjetë përqind e votimit të jetë elektronik”, shtoi ai.
Deri në ora katërmbëdhjetë, pjesëmarrja në zgjedhje në Shqipëri ka arritur gati 30 përqind (29.53%).
Shqiptarët në të gjithë vendin po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri.
Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzojnë të drejtën e votës. 114 mijë do të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë, procesit i është bashkuar edhe diaspora me gati 245 mijë votues të regjistruar.
Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit është 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites është po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që vijnë me postë nga diaspora, ndërsa votat nga jashtë përtej këtij orari nuk do të merren parasysh. Procesi monitorohet nga mbi 2.100 vëzhgues.
Në fletën e votimit janë 11 subjekte politike, të cilat kanë shpërndarë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë.