Vrasja e Liridona Ademajt, arrijnë në gjykatë të akuzuarit

Për pak pritet të fillojë gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Ekipi i RTV21 raporton se nën masa të rrepta sigurie janë sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Seanca pritet të fillojë në orën 11:00.
Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por Policia e Kosovës, dy ditë më vonë, njoftoi se ka arrestuar dy persona, përfshirë bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli, që është aktualisht në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj.
Përveç Murselit, të akuzuar janë edhe Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.
Ndryshe, para pak ditësh, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës./21Media
Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt fillon sot, familjarët presin drejtësi