Vrasja në Aktash, arrestohet edhe një person gjatë një bastisje të kryer sot

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar për një operacion të realizuar sot në lagjen “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, në kuadër të hetimeve lidhur me një incident të rëndë të armatosur.
Përmes një njoftimi për media, Prokuroria ka njoftuar se ky kontroll ka ndodhur si pjesë e hetimeve për rastin që ka ndodhur më 2 shtator 2024, në lagjen “Aktash”, ku një person ka mbetur i vrarë si pasojë e një sulmi me armë.
“Kontrolli është kryer në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e ndodhur me 02 Shtator 2024, në lagjen ‘’Aktash’’ në Prishtinë, ku si pasojë e një incidenti të armatosur kishte mbetur i vrarë një person. Gjatë bastisjes, është arrestuar një person për veprën penale Vrasjes së rëndë në tentativë sipas nenit 173 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së. Poashtu, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale. Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.