Vrasja në Gjakovë, Prokuroria ndalon për 48 orë të dyshuarin

(Lajm i përditësuar)


Spitali i Gjakovës del me njoftim për vdekjen e 30 vjeçarit: Viktima u pranua pa shenja jete

Spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ka dalë me një njoftim rreth vrasjes së të riut, R.B.

Përmes njoftimit zyrtar, thuhet se viktima kishte mbërritur në spital rreth orës 02:35, por pa shenja jete

“Menjëherë janë marrë masat reanimatore nga ekipi mjekësor në Emergjencë, por pa rezultat. Vdekja është konstatuar nga mjeku kujdestar në orën 03:10. Rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës dhe prokuroria e shtetit. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se i dyshuari është vetëdorëzuar në polici mëngjesin e së martës, ndërsa është ndaluar për 48 orë.


Vrasja në Gjakovë, Prokuroria ndalon për 48 orë të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e sotme në këtë qytet është ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i arrestuari me inicialet Q.S. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja”, ndërsa ndaj tij pritet të kërkohet masa e paraburgimit.

“Brenda afatit ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.

Rasti është iniciuar nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.


Vrasja në Gjakovë, vetëdorëzohet në Polici njëri nga të dyshuarit: Dërgohet në mbajtje 48 orë

Policia e Kosovës, ka njoftuar se është vetëdorëzuar në polici, një person, Q.S, i dyshuar lidhur me vrasjen që ka ndodhur në Gjakovë.

I njëjti, sipas policisë, është dërguar në mbajtje 48 orë.

”Aktualisht, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Njoftimi i plotë:

I dyshuari për vrasje vetëdorëzohet në polici

Gjakovë, 5 maj 2026

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Fillimisht, i lënduari është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka ndërruar jetë.

Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër i moshës madhore, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti “Vrasje”.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre, me inicialet Q. S., rreth orës 09:45 është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Aktualisht, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.


Vritet me thikë një person në Gjakovë, i dyshuari në arrati

Një person ka vdekur në orët e para të së martës në Gjakovë, si pasojë e plagëve të marra nga thika.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka thënë se viktima është dërguar për trajtim mjekësor pas lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë, ndërkaq i dyshuari ndodhet në arrati.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Fillimisht ishte dërguar në QKMF dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka ndërruar jetë”, ka thënë ai.

Sipas Elezajt, bazuar në hetimet fillestare dyshohet se rreth orës 02:20 pas një mosmarrëveshje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar nga një person, po ashtu i moshës madhore, i cili ndodhet në arrati.

Njësitë kompetente policore menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast “vrasje”.

Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Show More
Back to top button