Vrasja në Hajvali, Rama thirrje insitucioneve të nisin fushatë për konfiskimin e armëve të paligjshme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me vrasjen që ka ndodhur të hënën në mbrëmje në Hajvali të Prishtinës.

Ai ka ngritur shqetësimin për vrasjet që po ndodhin ditëve të fundit në Kosovë dhe ka  bërë thirrje institucioneve të rendit dhe drejtësisë  që të nisin fushatë për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme, përcjell portali rtv21.tv

“Si Kryetar i Kryeqytetit, brenda kompetencave të mia ligjore dhe morale, i bëj thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe udhëheqësve të çdo komune që të nisim menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme. Veprimi duhet të jetë i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent.

Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim. Është një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real.”, ka shkruar Rama në Facebook.

Derisa ka shtuar se edhe më shqetësues mbetet fakti se Kosova aktualisht është pa institucione qendrore funksionale.

“Ditët e fundit, vendi ynë është tronditur nga një varg incidentesh të dhunshme me humbje tragjike jetësh. Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione si shtet!

Ajo që e bën gjendjen edhe më shqetësuese është fakti se qytetarët e Kosovës nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre. Kjo është për keqardhje. Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë.”, ka përfunduar Përparim Rama./21Media

 

Back to top button