Vritet komandanti i ushtrisë separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës

U vra komandanti i një prej batalioneve të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, Mikhail Kishchik. I njohur më mirë me pseudonimin Misha Çeçeni, Kishchik vdiq, ndërsa trupat ruse dhe forcat e separatistëve filluan një sulm kundër ushtrisë ukrainase në lindje të vendit.

“Lajm i trishtuar nga vija e frontit. Ka vdekur një patriot i LNR, nënkoloneli Mikhail Kishchik”, shkroi Kryeministri i republikës së vetëshpallur popullore të Luhansk-ut (LNR), Sergei Kozlov në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Ai shtoi se Kishchik dhe shokët e tij u rrethuan nga ukrainas afër qytetit të Kreminës dhe “luftuan deri në fund”.

“Po përcaktojmë numrin e të vrarëve dhe të plagosurve”, shtoi ai.

Kremina është një nga pikat në vijën e frontit ku forcat ruse po përpiqen të avancojnë drejt qyteteve më të mëdha të Lysychansk dhe Severodonetsk, të mbajtura nga trupat ukrainase, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Kishchik dhe batalioni i tij kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014. Në fazat e hershme të konfliktit, ai dhe luftëtarët e tij ishin akuzuar për plaçkitje të zonave të banuara në rajonin e Luhanskut.

Në vitin 2016, gjatë një qetësie në armiqësitë në lindje të Ukrainës, një gazetë e pavarur ruse “Novaya Gazeta” kishte publikuar një hetim, duke e quajtur Kishchik një nga shefat e një rrjeti kontrabande në lindje të Ukrainës. Ai nuk i kishte komentuar asnjëherë akuzat./21Media

Back to top button