Vr*sja në Gjakovë, Prokuroria ndalon për 48 orë të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e sotme në këtë qytet është ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i arrestuari me inicialet Q.S. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja”, ndërsa ndaj tij pritet të kërkohet masa e paraburgimit.
“Brenda afatit ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.
Rasti është iniciuar nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.