Kaloni te përmbajtja kryesore

“Mosmarrëveshje e përleshje fizike”, çka thuhet në kërkesën për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarës për vrasjen në Ferizaj

(Lajm i përditësuar)


Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarës për vra*jen në Ferizaj?

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Ferizaj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen në Ferizaj më 28 qershor 2026.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” më 28 qershor 2026, rreth orës 22:40, në Ferizaj, rruga “Sejdi Sejdiu”, përkatësisht në objektin banesor, të marrë me qira nga babai i të pandehurës M.B., e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H.

Sipas kërkesës, thuhet se tani i ndjeri kishte shkuar në banesën në të cilën ndodhej e pandehura, dhe gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshje dhe përleshjeje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtie një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vend ngjarje

Me këto veprime, ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar, përfshirë raportin mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, i datës 29.06.2026, me anë të së cilit është sekuestruar arma e zjarrit, e cila është përdorur në kryerjen e veprës penale. Si dhe deklarata e dëshmitarëve H.R., dhe M.N. ,të cilët vërtetojnë në tërësi gjendjen faktike të paraqitur në dispozitiv të kësaj kërkese.

Sipas Prokurorisë, rezulton se e pandehura jeton dhe vepron në Francë, ndërsa në Republikën e Kosovës ka ardhur për qëndrim të përkohshëm, rrethanë kjo që tregon se ekziston rreziku real dhe serioz se po që se lihet në liri, mund të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e që me këtë rast do të pengohet zhvillimi i suksesshëm i procedurës penale.

Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku që e pandehura nëse lihet në liri, mund të ndikojnë tek të dëshmitarët, me qëllim të ndryshimit të deklarimeve të tyre në favor të saj.

Prokuroria vlerëson se paraburgimi duhet të caktohet duke marrë për bazë peshën e rëndë të veprës penale, si dhe dënueshmërinë e veprës penale, po ashtu rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

“…fakti se pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike me tani të ndjerin F.H., e pandehura ka marr armën e zjarrit nga tani i ndjeri, dhe ka shtënë njëherë në drejtim të tij, duke e privuar nga jeta, mënyra e kryerjes së veprës penale, përdorimi i armës së zjarri dhe pasoja e shkaktuar, respektivisht humbja e jetës së një personi, tregojnë shkallë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore”, thuhet në kërkesë.

Andaj, Prokuroria vlerëson se masat alternative janë të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.


Prokuroria kërkon paraburgim për vajzën që dyshohet se e vrau 32-vjeçarin në Ferizaj, babai i saj lirohet

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.R., e cila dyshohet se e vrau 32-vjeçarin F.H. mbrëmë në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, ekziston “dyshimi i bazuar” se ajo e privoi nga jeta F.H, pas një “mosmarrëveshje dhe përleshje fizike”.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga, “Sejdi Sejdiu”, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Babai i saj, i dyshuari me iniciale M.B., që ishte ndaluar “deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në rast”, Prokuroria tha se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është liruar.

“Po ashtu, në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima- tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Njoftimi i plotë:

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për rastin e vrasjes në Ferizaj

Ferizaj, 29 Qershor 2026 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.R., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga, “Sejdi Sejdiu”, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 të KPRK-së.

Ndërkaq, i dyshuari me iniciale M.B., që ishte ndaluar deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në rast, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është liruar.

Po ashtu, në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima- tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).


Prokuroria thotë se e dyshuar për vrasjen e 32 vjeçarit në Ferizaj është vajza që u ndalua bashkë me babain e saj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona, një grua të dyshuar për veprën penale “Vrasja” dhe babanë e saj (M.B.), lidhur me rastin e vrasjes së 32-vjeçarit F.H., i cili u gjet pa shenja jete mbrëmjen e 28 qershorit në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Komunikata e plotë:

Ndalohen dy persona për veprën penale “Vrasja” në Ferizaj

Ferizaj, 29 Qershor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më datën 28 qershor 2026, rreth orës 22:50, në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj, është pranuar informata se një person është gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale.

Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast.

Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.

Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.


Vritet një 32-vjeçar në Ferizaj

Një 32-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri të dielën rreth orës 22 e 50 në një banesë në Ferizaj.

Sipas njoftimit të Policisë viktima është identifikuar me inicialet F.H., ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Si i dyshuar për vrasje është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë i dyshuar me iniciale M.B., në banesën e të cilit thuhet se ka ndodhur ngjarja.

Në këtë rast thuhet se lëndime trupore ka marrë edhe vajza e të dyshuarit A.R.. Sipas Policisë edhe ndaj saj është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, mirëpo ajo thuhet se vazhdon të mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.

“Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin aty bashkëshortja, si dhe vajza e tij A.R. (24 vjeçe). Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, shtohet tutje.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Më datën 28.06.2026, rreth orës 22:50, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informatën se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet reaguese të policisë, hetuesit e stacionit, të mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH). Gjithashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda.

Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin aty bashkëshortja, si dhe vajza e tij A.R. (24 vjeçe). Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari M.B. është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, mirëpo ajo vazhdon të mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button