Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi në telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e informoi atë në lidhje me bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të mbajtura më 4 dhe 7 shtator.

Kremlini njoftoi se biseda u zhvillua me iniciativë të palës serbe, duke shtuar se ajo u përqëndrua në çështjen e Kosovës.

“Vladimir Putin konfirmoi pozicionin e pandryshuar të Rusisë për një zgjidhje të ekuilibruar dhe kompromisi që është e pranueshme për Beogradin dhe e cila do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Sipas një njoftimi të presidencës serbe, Vuçiq ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Rusisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, si dhe për përpjekjet e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Federata Ruse do t’i sigurojë Serbisë mbështetje politike në përpjekjet e saj për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe të koordinojë veprimet e saj të politikës së jashtme me Serbinë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa më 7 shtator pas bisedimeve të mbajtura në Bruksel, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, konfirmuan se i kanë përafruar qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve, të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunim ekonomik. Ata konfirmuan se gjatë takimit kanë hapur dy tema të reja: Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Takimi i radhës në dialogun në nivelin politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është caktuar të mbahet më 28 shtator./rel