Vuçiq: Javën e ardhshme Chollet do të vizitojë Beogradin

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.
Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të qëndrojnë në Beograd në përpjekje për të përshpejtuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
“Ne i përmbahemi Kushtetutës sonë dhe jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”, tha Vuçiq kur u pyet se cila ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin kur bëhet fjalë për Kosovën. Vuçiq po ashtu tha se Serbia do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Vuçiq po ashtu foli për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se janë në pritje që shteti i dhjetë të tërheqë njohjen, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thotë se vendin deri më tani e kanë njohur 106 vende./rel

Back to top button